Ismaili: Çmime të njëjta për barnat në secilën barnatore të Kosovës

Ismaili: Çmime të njëjta për barnat në secilën barnatore të Kosovës

Minstria e Shëndetësisë ka organizuar sot debat publik për Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore.

Gjatë këtij diskutimi, ministri Ismaili tha se iniciativa për finalizimin e këtij dokumenti është i rëndësishëm për shumë arsye, por, më rëndësishmja, do të jetë ruajtja e buxhetit të shtetit dhe xhepit të qytetarëve.

“Çmime të njëjta për barnat e njëjta në secilën barnatore, në të gjithë Kosovën, që t'u japim fund shpenzimeve shumë të larta të qytetarëve në blerjen e barnave”, ka thënë ministri Ismaili.

Ministri Ismaili tha se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk e kanë të rregulluar blerjen e barnave me çmime referente.

“Për ta ruajtur xhepin e qytetarëve, buxhetin e shtetit, dhe për ta hequr Kosovën nga kjo “listë e zezë”, në bashkëpunim të afërt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ne kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave”, shtoi ministri Ismaili.

Udhëzimi Administrativ, pas futjes në fuqi, do të rregulloj çmimet e të gjitha barnave: Atyre që janë në Listën Esenciale, atyre që do të jenë të rimbursuara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, si dhe, atyre që do të përshkruhen nga mjeku.