Për 8 Mars në Tiranë fillon festivali i filmit për dhunën ndaj grave

Për 8 Mars në Tiranë fillon festivali i filmit për dhunën ndaj grave

Historia e dhimbshme e një marrëdhënie abuzive.

Një grua e cila duhet t’i japë fund martesës, por edhe të çlirohet nga paragjykimet kulturore.

Kjo është historia e filmit “I huaji” që do të shfaqet më 8 mars në Festivalin e Filmit për Gruan që hap siparin në Tiranë.

Umay një grua nga Berlini e lë bashkëshortin teksa është shtatzënë me fëmijën e dytë. Lufta e saj është për liri, si lufta e shumë grave te tjera.

Kur filmi u shfaq në ekranin e Festivalit të Berlinit, ai do të prekte të pranishmit me të vërtetat që mbarte. Historia e Umayt është historia e shumë grave në botë që vuajnë abuzimet në forma të ndryshme. Në ditën ndërkombëtare të gruas më 8 mars në Shqipëri do të organizohet për herë të parë Festivali i Filmit për gratë.

Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila është organizatore e këtij festivali bashkë me UN Women në Shqipëri, ka deklaruar se ky është një aktivitet i ri që vjen në një moment shumë të veçantë, sepse prej kohësh në shoqërinë dhe mediat tona është trajtuar një tematikë që më shumë se temë është kthyer në problematikë. Dhuna ndaj grave, sensibilitetet që janë të lidhura me pozicionin e femrës në Shqipëri, janë bërë tepër të animuara.

“Ky festival sjell një mesazh të fortë si një domosdoshmëri në trajtimin problematik që trajtohet nëpërmjet artit dhe kinematografisë. Kjo e fundit krijon një ndikim emocional, që mund të ndikojë në shtresëzimin e një kulture kolektive. Do doja që të shfrytëzoja rastin për të gjitha institucionet, publike dhe private, që të bashkojnë forcat edhe të krijojnë mundësi financiare për të mbështetur iniciativa të tilla”.

“Dita e festës së grave mos të jetë një ftesë që merr trajtën e piknikut, por të trajtohet edhe në forume të tilla, siç është kinemaja”

Festivali do të shfaqë filma që kanë në fokus të drejtat e grave për të treguar se dhuna ndaj grave është ende një fenomen i përhapur sot. Aktorja Ema Andrea, e njohur si aktiviste e të drejtave të grave, do jetë e pranishme gjatë ditëve të këtij festivali.

Festivali do të zhvillohet nga data 8 deri në 11 mars.