Spanjolli Briones Lopez nesër dirigjon koncertin e Filharmonisë

Spanjolli Briones Lopez nesër dirigjon koncertin e Filharmonisë

Filharmonia e Kosovës nesër do të mbaj koncertin e radhës ku mysafirë të veçantë do të jetë dirigjenti spanjoll, Fernando Briones Lopez, bashkë me solisten nga Tirana, Vikena Kamenica.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari në një konferencë për media, tha se në gjithë programin që do të mbahet nesër do të ngjitën në skenë rreth 100 performues dhe se programi artistik do të ndahet në dy pjesë.

Sipas tij, në pjesën e parë të programit “Aka Pella”, kryesisht do të prezantohen veprat korale, ku njëra ndër to është vepra e profesor, Rafet Rudit. Ndërsa për pjesën e dytë, ai tha se do të ketë një veprën tjetër premier të Krist Lekajt.

Jashari bëri të ditur se gjithë koncerti do të dirigjohet nga spanjolli Fernando Briones Lopez, i cili sipas tij, është një njohës shumë i mirë i vokalit dhe muzikës korale në përgjithësi.

 “Filharmonia e Kosovës organizon koncertin e radhës i cili inkorporon në tërësi institucionin tonë që do të thotë në skenë do të ngjiten mbi 100 performues. Bëhet fjalë për koncertin e korit dhe orkestrës simfonike të Filharmonisë së Kosovës... gjithë koncerti do të dirigjohet nga dirigjenti spanjoll, Fernando Briones Lopez i cili vjen për herë të dytë në Kosovë ka qenë dhe vitin e kaluar, ka lënë shumë përshtypje dhe kemi parë të arsyeshme të ftojmë. Dirigjenti, Fernando është njohës shumë i miri vokalit dhe muzikës korale kështu që gjatë tërë javës është punuar në mënyrë intensive. Kështu që publiku do të ketë rast që përjetoj një koncert atraktiv me programin e përzgjedhur. Në këtë program kemi dhe solisten qendrore që vjen nga Tirana, bëhet fjalë për mezosopranon Vikena Kamenica”, tha ai.

Ndërsa solistja nga Tirana, Vikena Kamenica që do të jetë pjesë e këtij koncerti, tha se ndihet e shumë e lumtur që së bashku me maestron spanjoll do të jenë së bashku në skenë për të dhënë më të mirën, në mënyrë që publiku të shijoj gjithë performancën.

 “E ndjej vetën të privilegjuar pa diskutim, se në radhë të parë jemi për herë të parë bashkë me Filharmoninë e Kosovës me një vepër të profesor Rafetit, ndjehem shumë mirë edhe pse përpara një vështirësie të një vepre jo të lehtë dhe një emocioni shumë të fortë që mbart personazhi që unë këndoj në këtë vepër...është shumë interesante fakti që do të jemi bashkë me maestron, me temperamentin spanjoll”, deklaroi, solistja Kamenica.

Kurse, vet dirigjenti spanjoll, Fernando Briones Lopez tha se është një kënaqësi e madhe me qenë dhe një herë në Prishtinë për të punuar me një ekip siç e konsideroi ai profesional.

Ai kërkoi nga publiku që të jenë sa në numër të madh nesër në mënyrë që të shijojnë gjithë programin.

 “Për mua është kënaqësi që sërish të jem në Prishtinë për të punuar me orkestrën dhe në këtë lokacion me këta kompozitor. Janë pesë kompozitor profesional me kualitete të mira që jam duke kaluar shumë mirë dhe më pëlqen. Vetëm dua të them që publiku që vjen në koncert të shijoj mjaft shumë programin”, tha ai.

Filharmonia e Kosovës vazhdimisht është duke sjell në Kosovë dirigjent dhe solist nga shtetet e tjera.