QKUK: Gjinekologjia, 1 mijë operacione për 2 muaj

QKUK: Gjinekologjia, 1 mijë operacione për 2 muaj

Mjekët specialistë, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për një kohë të shkurtër, kanë kryer mbi 1 mijë operacioneve të llojeve të ndryshme, për shkak të komplikimeve shëndetësore, të paraqitura te gratë.

Gjatë muajit janar janë kryer 535 intervenime kirurgjike, ndërsa gjatë muajit shkurt 479.

Efikasiteti i punës është rritur, pas investimeve në sallat operative, të cilat janë pajisur me aparaturë moderne.

Shefi i sallave të operacionit në Gjinekologji, Zef Ndreja, thotë se puna në repartin operativ po kryhet më shpejt dhe më lehtë, me më pak ndërlikime.

“Patjetër që e kanë rritur efikasitetin pajisjet, sidomos nga ana e sigurisë dhe nga ana e komplikimeve, poashtu. Qasja e punës është me e lehtë. Reanimimi është më i shpejtë. Puna kryhet shumë më komod”, thotë Ndreja.

Për të rritur cilësinë e shërbimeve, Klinika e Gjinekologjisë, në gusht të vitit 2018, është pajisur tavolina gjinekologjike-operative, llamba operative për të gjitha sallat, një histeroskop, një laparaskop dhe një Ligashurë (thikë ulstrasonografike bipolare).

Kryeinfermierja Zojë Ibrahimi-Rama, duke folur për sallat e operacionit, pohon se aparatura e re ka ndihmuar shumë stafin në punën për intervenimet kirurgjike, të kryera më herët në kushte të papërshtatshme. 

“Shumë më lehtë e kemi tash, prej që kanë ardhur këto pajisje të reja. Edhe për ne, edhe për operatorët, por edhe për pacientët është shumë më e lehtë, çdo gjë shkon në rregull”,deklaron Ibrahimi-Rama.

Në anën tjetër, Nazane Berisha, e shtrirë në spital, pas operacionit, thotë se ka marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Ajo flet edhe për kushtet në vendimin e kurimit, ndërsa thotë se në QKUK punohet me përkushtim të madh.

“Salla e operacionit ka qenë shumë në nivel, shtrati poashtu. Nuk me ka ra shumë me prit, për me u operu. Kështu që, deri tash, gjithçka ka shku në rregull. E kam vërtetuar vetë që këtu po punohet, atë që thotë dikush se nuk po punohet, janë thashetheme”, thekson Berisha.

Për vite me radhë, kjo klinikë ka funksionuar me pajisje të vjetra, të cilat e kanë bërë më të vështirë punën e ekipeve mjekësore në sallat e operacionit.