Skenderaj, Drenasi dhe Malisheva përfitojnë mjete për projektet lokale

Skenderaj, Drenasi dhe Malisheva përfitojnë mjete për projektet lokale

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të hënën ka vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me komunat për mbështetje të projekteve lokale të tyre.

Kësaj radhe marrëveshje bashkëpunimi ministri Lekaj  nënshkroi me krerët e komunave të Skenderajt, Drenasit dhe Malishevës.

Komuna e Skenderajt, përfiton mjetet financiare në vlerë 1 milion e 560 mijë euro për këtë vit, për realizimin e tetë projekteve të infrastrukturës lokale. Komuna e Drenasit, përfiton mbështetje në financim të tri projekteve, në vlerë prej 450 mijë eurove, ndërsa komuna e Malishevës për vitin 2019 përfiton përkrahje financiare nga MIT-ja për dy projekte në vlerë prej 200 mijë euro.

Ministri Lekaj i siguroi kryetarët e komunave nënshkruese se mbështetja që ata po marrin këtë vit është vazhdimësi e mbështetjes nga viti i kaluar, kurse planifikimet buxhetore për këto projekte janë bërë edhe për dy vitet në vijim. Ai kërkoi nga ta angazhim serioz në realizimin e projekteve sepse vetëm kështu mund të përmbushet obligimi i tyre para qytetarëve që ata i drejtojnë.

Krerët komunal të Skenderajt, Drenasit dhe Malishevës, duke e falënderuar ministrin Lekaj për këtë mbështetje të nevojshme për komunat, dhanë zotimet e tyre se këto projekte do të realizohen sipas kritereve më të larta dhe konform afateve të parapara me plane dinamike.