VIDEO - Promovohet libri “Njeriu shumëdimensional” i Hasnije Ilazit

VIDEO - Promovohet libri “Njeriu shumëdimensional” i Hasnije Ilazit

Sot në Katedralen "Nënë Tereza" në Prishtinë, në ora 17:00, do të promovohet libri i Dr. Prof. Hasnije Ilazit, “Njeriu shumëdimensional dhe përsiatje tjera mbi identitetin modern”.

Autorja Ilazi, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, foli për përmbajtjen e këtij libri, të cilin si sqaroi ajo, e ka filluar qysh moti si një hulumtim për punimin e doktoraturës, por që e ka plotësuar më vonë me pjesë nga ligjërata, diskutime me studentë e kolegç dhe filozofë, jashtë vendit.

Siç e thotë autorja, libri ka për qëllim të ofrojë një përgjigje paksa të devijuar nga ajo fillestare dhe shumë të kërkuar nga ana e saj. Këtu ekskluziviteti i pyetjes çka apo kush është njeriu modern zgjerohet me pyetjen mbi ndryshimet që përcaktojnë bazamentin për ta kuptuar njeriun e sotëm si të tillë.

Libri, “Njeriu shumëdimensional” është përmbledhje e disa fushave filozofike dhe ndahet në katër kapituj: “Njeriu në mes të unit të brendshëm dhe botës së jashtme”, “E pashmangshmja shoqërore”, “Identiteti i njeriut modern”, “Njeriu si Unë i krijuar nga morali dhe shoqëria”.

Në promovimin e librit “Njeriu shumëdimensional dhe përsiatje tjera mbi identitetin modern”, në panel do të jenë edhe Prof.Dr. Muhamedin Kullashi, Prof.Dr. Anton Berishaj e të tjerë.

Autorja e këtij libri, Hasnije Ilazi, përveç mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës dhe publikimeve të shumta, ka numër të madh të paraqitjeve në konferenca, në seminare, në universitete ndërkombëtare dhe vendore dhe aktivitete hulumtuese.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim: