“Bollywood” realizon film për Nënë Terezën

“Bollywood” realizon film për Nënë Terezën

Një film biografk për Nënë Terezën bën bashkë aktorët ndërkombëtar dhe indianë.

Është paralajmëruar një dramë biografike për të shenjtën Nënë Terezën, themeluesen e Misionarëve të Bamirësisë, shkruan News18, transmeton lajmi.net.

Filmi do të jetë në regji të Seema Upadhyay, e cila gjithashtu e ka shkruar edhe skenarin, thanë producentët në një deklaratë.

Sipas producentëve, kastën e aktorëve të këtij filmi e përbëjnë artistët e “Hollywood-it” dhe ata të “Bollywood-it”.

Ata janë takuar së fundi me motrën Prema Mary Pierick dhe motrën Lynne në Kalkuta, për të marrë miratimin për nisjen e këtij projekti.

Projekti do të jetë prodhim i Pradeep Sharma, Nitin Manmohan, Girish Johar dhe Prachi Manmohan.

Ata thanë se ndihen jashtëzakonisht të lumtur që kanë rastin të bëjnë film për Nënë Terezën, e cila në gjithë botën njihet për fisnikëri dhe bamirësi.

Filmi do të finalizohet deri në fund të këtij viti, ndërsa do të publikohet më 2020.

Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë, ndërsa vdiq më 5 shtator 1997, pak muaj para se të mbushte 86 vjet jetë.

Ajo u nderua me çmime të shumta, përfshirë edhe çmimin Nobel për Paqr më 1979 dhe “Ratna Bharat” më 1980. Në vitin 2003 ajo u bekua si “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.