Mehmeti: Asetet e sistemit financiar shënojnë rritje vjetore 6.9 %

Mehmeti: Asetet e sistemit financiar shënojnë rritje vjetore 6.9 %

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë një takimi ka njoftuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për gjendjen në sistemin financiar në vend, dhe zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Me këtë rast, guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7%.

Po ashtu, guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur projektin në proces që ka të bëjë me Kornizën operacionale për menaxhimin e krizave dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim me ekipin e Bankës Botërore për të finalizuar me sukses këtë projekt.

Përfaqësuesit e BB-së të kryesuar nga Miquel Dijkman, kordinator i Zyrës Regjinale të Bankës Botërore – FINSAC në Vjenë, falënderuan guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit.