Në Prishtinë përurohet libri për Lëvizjen Popullore të Kosovës

Në Prishtinë përurohet libri për Lëvizjen Popullore të Kosovës

Roli i Lëvizjes Popullore të Kosovës në rrugëtimin e Kosovës drejt çlirimit dhe shtetformimit u vlerësua mjaft lart në ambientin e Institutit Albanologjik, ku u përurua libri pikërisht për këtë lëvizje me titull, “Zëri i Kosovës, LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim, Themeluese e UÇK-së” nga bashkautorët, Sejdi Gega dhe Fazli Veliu.

Njëri nga drejtuesit e LPK-së, Rexhë Ibërdemaj tha se ky libër  për LPK-në dhe UÇK-në dëshmon se në radhët  e kësaj Lëvizje ka pasur gjithmonë  mendje të ndritura të kombit që gjithë idealin dhe dijen e kanë vënë në drejtim të atdheut.

“Kjo dëshmon se në radhët e LPK-së ka pasur mendje të ndritura të kombit të cilët po të mos ishin përcaktuar për politikën çlirimtare njëri ose tjetri nga ta do të linin gjurmë në fushën e botimeve. Po e them këtë nga një fakt që LPK-ja nga kundërshtarët e politikës çlirimtare është luftuar vazhdimisht gjoja për mungesë inteligjence. Fatkeqësisht kjo ka zgjatur deri në çlirimin e vendit...LPK dhe UÇK kanë pasur në radhët e saj, veprimtarë të pushkës dhe penës. Por,  këta kishin ideal dhe vetëdije të lartë që dijen e tyre intelektuale dhe karrierat e tyre personale i vuan në shërbim të atdheut. Në shërbim të çlirimit nga pushtuesi dhe në shërbim të rrugës sonë të përbashkët, rrugës së bashkimit Kombëtar”, tha Ibërdemaj.  

Ndërsa, veprimtari tjetër i LPK-së, Hydajet Hyseni tha se ndër meritat e para të këtij botimi është se sjell në mënyrë kronologjike vazhdimësinë e historisë sonë kombëtare.

Sipas tij, LPK ishte trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare dhe në kuadër të kësaj lëvizje ka pasur veprimtarë të shquar.

“Autorët e librit na kanë bashkuar në veprën e tyre me vlerë, e që është vepër e jona e përbashkët me vlerë dhe atyre që s’janë sot me ne dhe t’i përgëzojmë për punën e madhe dhe vërtetë për veprën e nevojshme dhe për momentin që po kalojmë një vepër padyshim me rëndësi të madhe historike dhe aktuale. Lëvizja jonë ka një vazhdimësi dhe para Lëvizjes, prej lëvizjes tonë kombëtare të rilindësve tanë e këndej. Mandej edhe në historinë e re të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur emërtime të ndryshme. Por,  në thelbin e tyre ka qenë gjithmonë një Lëvizja dhe tjetra Kombëtarja, çlirimtarja” shtoi Hyseni.

Nga Instituti i Historisë, Fatmir Arifi duke folur për këtë libër, tha se ai ka një vlerë më të madhe se librat e zakonshëm,  pasi gjenden në mënyrë autentike gjithë historia e Kosovës me dokumentet më autentike.

Sipas tij, roli i kësaj Lëvizje ka qenë shumë i rëndësishëm, pasi ka  formuar tre ushtri çlirimtare në gjitha trevat shqiptare dhe gjithë demonstratat e vitit 1981 dhe vitit  1989 janë udhëhequr nga njerëzit e LPK-së.

“Ky libër ka një vlerë pak më të veçantë se një libër i zakonshëm. Arsyeja është se këtu pasqyrohen dokumentet më autentike, janë vendimet që janë marr në kuadër të organizatës dhe janë procese që ka drejtuar organizata, janë të gjitha traktet të paktën që ato kanë arritur me depërtuar tek dy autorët. Librat që pasqyrojnë dokumente, tregojnë para studiuesve të huaj sidomos seriozitetin dhe sakrificën e kombit tonë  ka kaluar për të arritur deri tek kjo ditë që u kurorëzua në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky libër dëshmon dhe një fakt tjetër dhe për mua si studiues i ri që jam, dëshmon se demonstratat e 81-shin i udhëheqën po këta njerëz që drejtonin dhe lëvizjen...kjo organizatë u dëshmua se ka themeluar tri ushtri çlirimtare në hapësirën tonë”, tha Arifi

Bashkautori i librit, Fazli Veliu tha se ka qenë e nevojshme botimi i një libri për LPK-në, pasi kjo Lëvizje e bëri Kosovën, shqiptarët dhe gjithë të tjerët.

Sipas tij, LPK ka qenë gjithmonë  për bashkim kombëtar.

“Zemrën e ka Lëvizja që e bëri Kosovën, shqiptarët dhe gjithë të tjerët. Dhe nëse bëjmë krahasimin që Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës ka qenë këtu, ka qenë dhe në Shqipëri ka qenë dhe çdo vend. Është e vërtetë që disiplinën më të madhe e kemi nga OMLK-ja. Ka pasur raste që djemtë në mërgim të largohen nga Lëvizja pse nuk vazhdon Organizata Marksiste-Leniniste”, tha Veliu.

Ndërsa, autori tjetër, Sejdi Gega tha se falë bashkëpunimit me gjithë veprimtarët e LPK-së fillimisht ka marr gjithë dokumentacionin e punës së kësaj lëvizje në mënyrë që të botojë këtë libër.

Sipas tij, programi i tyre, nuk është realizuar, pasi siç thotë ai është fituar një liri e pamjaftueshme.

“Programi që e ka pasur Lëvizja Popullore e Kosovës, është programi që na kanë vra me qindra dëshmorë, mijëra invalidë që sot janë, nuk është realizuar. Them se është fituar një liri e pamjaftueshme ndoshta, por është e dukshme, prandaj them se nuk e ndiej sot veten komod dhe të relaksuar. Në librin që sot po e prezantojmë, ka shumë aktorë, por unë do bëj përpjekje t’i përmendi disa prej tyre. Autori i këtij librit është nderi i kombit, baca ynë Adem Demaçi, Jusufi dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Bahri Fazliu, Xhavit Haziri, Zahir Pajaziti, Edi, Ademi, komandat Kumanova, komandat Shpendi dhe shumë komandat të tjerë që ishin nga pjesa e Shqipërisë”, tha Gega.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin dhe përfaqësues të Institutit Albanologjik, ku Lulzim Lajçi tha se këto botime janë me interes për brezat e rinj, pasi ata do të mësojnë për rëndësinë dhe veprimtarinë e LPK-së.