Përurohet hapësira e rinovuar Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa

Përurohet hapësira e rinovuar Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa

Sot u bë përurimi i projektit të renovimit dhe modernizimit të hapësirës së Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa të Komunës së Prizrenit.

Pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit ishin edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, si dhe përfaqësues të shumtë nga institucionet e ndryshme lokale e qendrore.

Në një fjalë rasti, kryetari Haskuka deklaroi se simbolika më e madhe e këtij renovimi është largimi i barrierave dhe xhamave, duke mundësuar eliminimin e largësisë së komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe shërbyesve civilë.

"Kjo ndërtesë e cila është ndërtuar në vitet 60-ta, deri më sot ka pasur shumë pak investime për rregullimin e gjendjes, ndërkaq nga sot është larguar mentaliteti i barrierave dhe xhamave në aspektin e largësisë së komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe shërbyesve civilë të Komunës," tha kryetari i Haskuka.

Ai po ashtu njoftoi se në kuadër të një projekti me Bankën Botërore janë identifikuar hapat për rritjen e cilësisë dhe shpejtimin e 190 shërbimeve të ofruara nga Komuna e Prizrenit. Sikurse në objektin e DKEF-së, kryetari Haskuka theksoi se edhe në ndërtesën e Komunës do të bëhet hapja e qendrës One Stop Shop, e cila do të ketë pamjen e shteteve më moderne, ku qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet, prej certifikatave për lindje, deri tek lejet ndërtimore.

Projekti i renovimit dhe modernizimit të hapësirës së Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, e cila u realizua me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe ofrimit të shërbimeve më të shpejta për qytetarë, është financuar plotësisht nga buxheti i Komunës Prizrenit. Punimet në këtë objekt kanë filluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe kanë zgjatur rreth 3 muaj.