Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në Marmull të Gjakovës

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në Marmull të Gjakovës

Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me vrasjen që ndodhi dje në fshatin Marmul.

Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e të pandehurit ku ka arrestuar një person dhe të njëjtit i ka konfiskuar armën me të cilën është kryer vepra.

Trupi i viktimës është dërguar nga IML për obduksion, ndërkaq që i plagosuri është duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës.

E gjatë ditës pritet që të kërkohet masa e caktimit të paraburgimit.

Kjo është komunikata e plotë e prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton që me datë 12.03.2019, rreth orës 18:30, në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje me armë zjarri.

I dyshuari A. Gj., nga i njëjti fshat ka privuar nga jeta T.B., i moshës 40 vjeç dhe ka plagosur një person tjetër A.N., 56 vjeçar. Sipas deklaratës së të plagosurit, dyshohet se motivi është pronësor.

Policia pasi ka bastisur shtëpinë e të pandehurit, e ka arrestuar të njëjtin dhe i ka konfiskuar armën me të cilën i ka kryer veprat.

Nga ana e Njësisë së forenzikës së policisë rajonale është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe janë siguruar dëshmitë e nevojshme.

Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa personi i cili ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Sot pritet që prokurori i rastit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit të paraqet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.