Xhaferi në Rumani, takon ministrin e jashtëm Meleskanu

Xhaferi në Rumani, takon ministrin e jashtëm Meleskanu

Në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani, me rastin e prezencës në aktin e ratifikimit të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s në Senatin e Rumanisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i shoqëruar nga kryetari i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Rumaninë, Panço Minov, realizoi takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Teodor Viorel Meleskanu.

Ministri Meleskanu theksoi se Rumania, deri tani ka ofruar mbështetje pa rezervë ndaj vendit tonë në rrugëtimin drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërsa tani me kryesimin rumun me Këshillin e BE-së, do të angazhohet drejtpërdrejtë që Republika e Maqedonisë së Veriut në qershor të marrë ftesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ministri Meleskanu përkujtoi se Rumunia si një nga anëtaret më të reja në BE, është e gatshme ti ndajë përvojat dhe ekspertizën për rrjedhën e procesit dhe hapjen e Kapitujve për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Kreu i Kuvendit Xhaferi nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut angazhohet për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale të mira dhe konstruktive me Rumaninë, të bazuara mbi dialogun politik konstruktiv dhe transparent, marrëdhënie partnere dhe bashkëpunim të ndërsjellë, sidomos në planin kulturor, arsimor dhe ekonomik.

Bashkëbiseduesit biseduan edhe për bashkëpunimin ekonomik, nëpërmjet krijimit të Biznes forumit dhe këmbimit tregtar dhe për përparimin e të drejtave të minoriteteve të përfaqësuara në të dyja vendet. Ato u pajtuan se në të ardhme do të vazhdojnë me përforcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë ndërmjet dy vendeve miqësore.