Zaev: Gati të thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë

Zaev: Gati të thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë

Kryeministri Rama flet pas takimit me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev për një zonë Schengen Shqipëri -Maqedoni e Veriut. Ky model është keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Schengen me Kosovën, tha Rama.

Mesazhe për thellim të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën e përbashkët drejt perspektivës europiane dha në Tiranë të mërkurën (13.03.2019) kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, ai theksoi gatishmërinë ”për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, duke theksuar që “2019 është vit i rëndësishëm, pasi të dy vendet shpresojnë të hapin negociatat e pranimit me BE”.

Zaev: Duhet të marrim ftesën për hapjen e bisedimeve me BE

“Dy vendet tona mike është e rëndësishme që të marrin ftesën për fillim të bisedimeve me BE dhe shpresojmë të kemi sukses”, theksoi Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp”.

Në kontekstin e sfidës së përbashkët për të arritur hapjen e negociatave, Zoran Zaev kritikoi heqjen dorë nga opozita prej mandateve të saj  parlamentare dhe bëri thirrje për dialog mes palëve.

“Përvoja na ka dëshmuar se dialogu mes pushtetit dhe opozitës siguron rrugën përpara për shtetin. Kjo është rruga përmes së cilës duhet të ecin para të gjitha shtetet e Ballkanit”, theksoi Zaev, raporton DW.

Duke sjellë në vëmendje përvojën e tij, kur ishte në opozitë, ai tha se, asokohe ”pavarësisht nga problemet me maxhorancën në pushtet kur takohej me diplomatët e BE kërkonte të hapeshin negociatat” dhe i sugjeroi opozitës në Shqipëri që ta kishte këtëë parasysh.

Rama: Sot, jo nesër drejt zonës Schengen me Maqedoninë e Veriut

Në kontekstin e aspiratës së përbashkët për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Rama ka theksuar rëndësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE.

“Jemi në një moment të veҫantë, kur shkojmë drejt një pragu të shumëpritur, drejt çeljes së negociatave me BE”, tha ai.

Rama bëri me dije vizionin e tij për marrëdhëniet mes vendeve të BP dhe u ndal në sqarimin e asaj që ai e quajti “keqkuptim lidhur me Kosovën”, në kontekstin e lehtësirave kufitare, lëvizjes së qytetarëve, mallrave dhe kulturës Shqipëri-Kosovë.

“Kemi nisur një proces me Kosovën, i keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Schengen. Por ai është zanafilla e një procesi që duhet të shtrohet për gjithë rajonin. Ne dëshërojmë ta materializojmë me Maqedonine e Veriut dhe Malin e Zi, me urimin dhe bindjen që vendet e BP të hyjnë në këtë proces dhe kufijtë të jenë po kaq fluide sa në BE”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi, se “askush nuk na pengon ta bëjmë mes vedi sot dhe jo nesër, dhe t’u japim qytetarëve mundësinë të hyjnë dhe të dalin në shtetet e rajonit pa asnjë pengesë, kontroll apo problem, si hyjnë dhe dalin në shtetet e tyre qytetarët e BE.