VIDEO - Sot shënohet Dita Botërore e Veshkave

VIDEO - Sot shënohet Dita Botërore e Veshkave

Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me vdekshmëri të lartë. Kryetari i Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, Ymer Elezi, me rastin e Ditës Botërore të Veshkave, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se sëmundjet e veshkës janë heshtake, andaj duhet t`u kushtohet kujdes.

Elezi tha se, për të shënuar Ditën Botërore të Veshkave, sot në orën 10:00, në sheshin “Nëna Terezë”, në kryeqytet, aktivistët e Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit të popullatës për zbulimin e hershem të sëmundjeve të veshkave, do të hapin një shtand ku qytetarëve do t’u matet tensioni i gjakut dhe niveli i sheqerit në gjak.

Ai tha se diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së veshkave është më se i domosdoshëm. Andaj, sipas tij, në funksion të informimit sa më të mirë të njerëzve, çdo vit shënohet Dita Botërore e Veshkave.

“Sëmundjet e veshkës janë heshtake, andaj duhet t'i kushtojmë rëndësi të madhe. Kategoritë që duhet mbrohen nga sëmundjet e veshkës janë ata që kanë shtypje të lartë të gjakut dhe diabeti. Mendohet që çdo i katërti që vuan nga diabeti është i sëmurë nga veshkat, por nuk e dinë, meqë e thashë që është sëmundje heshtake”, ka thënë pos tjerash Elezi.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim: