VIDEO- Grantet e subvencionet në bujqësi të njëjta me vitet e kaluara

VIDEO- Grantet e subvencionet në bujqësi të njëjta me vitet e kaluara

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, edhe gjatë vitit 2019, në forma të ndryshme do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, por dy instrumentet më të rëndësishme të politikave të ministrisë do të jenë Programi i Zhvillimit Rural dhe Programi i Pagesave Direkte.

Kështu tha, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK Ekrem Gjokaj, U.d i Kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Buxheti për këto programe zhvillimore për vitin e ardhshëm është planifikuar të jetë mbi 50 milionë euro.

Ekrem Gjokaj, U.d i kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, tha se qëllimi kësaj agjencie, është që ndarja e subvencioneve, grandeve të behët në mënyrë më të mirë të mundshme dhe sa më transparente në mënyrë që fermerët të mbesin sa më të kënaqur.

“Kemi pritë me mijëra fermer dhe kemi dosjet tyre, ata që janë të pakënaqur mund të interesohen për mungesat që i kanë në aplikacionet e tyre”, tha ai. Sipas tij, është e qartë se do të këtë edhe pakënaqësi dhe ankesa, sepse oferta është e vogël, ndërsa kërkesat për përfitimin e mjeteve janë shumë të mëdha.

Gjokaj thotë se që nga viti 2018, kur ai është në postin e U.d. AZHB-së, nuk ka përfitues të mjeteve që nuk i ka plotësuar kriteret administrative e ka marr subvencion. Ai sqaroi se në raste kur përfituesit e subvencionit i keqpërdorin mjetet, ata procedohen në organet gjegjëse, pra në gjykata. “Kemi mbi 200 raste të tilla dhe ata të cilët konstatohet se kanë keqpërdorur mjetet, nuk kanë mundësi të përfitojnë për tri vite me radhë dhe detyrohen ti kthejnë mjetet e marra”, tha ai.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, shton ai, në vazhdimësi ka kërkuar shtimin e fondit për subvencioneve për fermerët, por një ngritje e tillë nuk ka ndodhur, sikurse është rritja e buxhetit, prandaj buxheti është, përafërsisht si edhe vitet e mëparshme.