Shënohet rast i ri me bakterin “MRSA” në Maqedoninë Veriore

Shënohet rast i ri me bakterin “MRSA” në Maqedoninë Veriore

Rasti i dytë me bakterin “MRSA” është gjetur tek një fëmijë i klasës së gjashtë në shkollën “Panajot Ginovski” në Butel.

Edhe pse Inspektorati akoma nuk e ka konfirmuar, prindi i nxënësit thotë se analizat për bakterin i kanë dalë pozitive.

Shumica e prindërve sot nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në mësim nga frika e përhapjes së sëmundjes. Ndërrimi i parë është zhvilluar në gjysmë, ndërkaq ndërrimi i dytë nuk është mbajtur fare sepse prindërit kanë refuzuar t’i lënë fëmijët në hapësira të pa dezinfektuara.

Disa nga prindërit dyshojnë madje se bakteri mund të shkaktohet si pasojë e papastërtisë në hapësirat e Shkollës.

Thuajse të gjithë prindërit në këtë Shkollë qëndruan me orë të tëra në takim me drejtoreshën e shkollës dhe kreun e komunës së Butelit, pas çka është vendosur që të shtunën të bëhet dezinfektimi total i shkollës.

Gjatë qëndrimit të ekipit të ALSAT, u vërejt edhe prania e ekipeve të Inspektoratit sanitar dhe Institutit të Shëndetit Publik të cilët kanë marrë mostra për analizë tek të gjithë nxënësit që kanë qenë me një klasë me të infektuarin e fundit.

Nga kryesia e këshillit të prindërve të kësaj shkolle kërkojnë që të autoritetet përkatëse të bëjnë analiza falas për të gjithë nxënësit, me qëllim që të detektohen të gjitha rastet e prekura, si dhe të ketë më shumë pastërti.

“Ne kërkojmë që të bëhet dezinfektim total i shkollës dhe kërkojmë nga ana e ISHP  të bëhen analiza falas të të gjithë nxënësve që mësojnë në shkollë, këto janë kërkesat tona. E jona si prind është shqetësimi, shqetësimi se duhet të dezinfektohet e gjithë shkolla dhe të ju merren mostra të gjithë nxënësve që mësojnë në këtë shkollë. Gjatë tetë viteve që kanë kaluar, ne kemi kërkesa permanente për higjienën, ngritjen e nivelit të higjienës në shkollë”,  tha Imer Aliu, kryetar i Këshillit të prindërve.

Pas dezinfektimit pritet që Komisioni i Sëmundjeve ngjitëse të jep drejtim për hapat e mëtutjeshëm. Ndryshe, në këtë shkollë mësojnë rreth 650 nxënës, ndërkaq e njëjta posedon vetëm dy tualete njëra prej së cilës tanimë disa muaj po rinovohet dhe është jashtë funksionit.