Thaçi: Ndarja e Kosovës është ide e vjetër serbe, nuk do të ndodhë

Thaçi: Ndarja e Kosovës është ide e vjetër serbe, nuk do të ndodhë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se çdo kërcënimi të Serbisë, Kosova do t’i përgjigjet me polici dhe ushtri, si një komb.

“Jam komandant suprem i FSK-së. Kosova do t’i përgjigjet drejtpërdrejt çdo kërcënimi të Serbisë. Do t’i përgjigjet me ushtri dhe polici. Si një komb. Nëse ajo nuk ndalet me retorikën luftënxitëse”, ka thënë Thaçi në Klan Kosova.

“Do të jemi të pakompromis për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë sonë. Ndarja e Kosovës është ide e vjetër serbe. Nuk do të ndodhë. Jam i qartë”.

Thaçi ka pohuar se marrëveshja me Serbinë do të vendoset në referendum, çka është shprehur se beson që do të votohej nga 75-80 deputetë. “Nuk besoj se ka deputet që voton kundër bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën”, tha ai.

Thaçi në Zonën e Debatit ka thënë se idetë për konferencë ndërkombëtare për Kosovën, Union Ballkanik dhe të ngjashme janë të rrezikshme dhe ka theksuar se nuk do të lejojë që të ndodhin. “Ne jemi ballafaquar, e para, me një proces të kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe nevoja e Kosovës dhe Serbisë për njohje dhe dialog. Nuk lejoj që të ndodhë konferencë ndërkombëtare për Kosovën, sepse nënkupton integrimin e Rusisë në tavolinë. Është mirë që kjo temë u ndal së diskutuari. Në Prishtinë u hap edhe ideja për një Union Ballkanik. Ka qenë ide e rrezikshme. Për ne vlen Unioni Evropian. E ardhmja jonë janë NATO dhe BE – ky bashkim, por jo bashkim rajonal. Është e patolerueshme”.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka arsye dhe nuk guxohet që të prishet raporti i Kosovës me Amerikën.

“Argumentet që të na mbështesin kanë çaluar, por nuk do të ndodhë prishja. Ka këshilla miqësore që të lëvizet përpara dhe të hapet një perspektivë për të ardhmen euro-atlantike. Politikat ditore, javore dhe elektorale nuk do ta cenojnë raportin strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, apo vende tjera perëndimore”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se situata e tanishme e ngjall një entuziazëm në Beograd. “Nga ajo që shoh dhe që kam parë në rrafshin diplomatik, Serbia është për atë që të mos ndodhë dialogu. Në Serbi ka entuziazëm me ngërçin në Kosovë. Nëse vazhdon dialogu, Serbia do të detyrohet që ta njohë Kosovën”.

Sa i përket taksës 100 për qind, Thaçi ka thënë se është bërë monotone. “Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare është që t’i respektojmë këshillat që t’i hapet mundësi vazhdimit të dialogut. Ky proces nuk mund të zhbllokohet njëanshëm dhe është i patolerueshëm kushtëzimi i Beogradit. Kosova do të ecë paralel me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kam besim, sepse kam qëndruar afër me partnerët tanë dhe se gjërat e tilla do të tejkalohen”.