Qindra militantë të IS-it dorëzohen në Siri

Qindra militantë të IS-it dorëzohen në Siri

Qindra pjesëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe famijarë të tyre janë dorëzuar te forcat siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat i janë afruar edhe më shumë territorit të vetëm ku mendohet se janë strehuar pjesëtarë të IS-it në Siri.

“Rreth 1,3000 terroristë dhe familjarët e tyre janë dorëzuar te forcat tona, ndërkohë që kanë vazhduar operacionet kundër organizatës terroriste”, ka thënë zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane, Mustafa Bali përmes një postimi në Twitter.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët dhe të ndihmuara nga SHBA-ja, kanë arritur një hap më tej drejt pastrimit të zonës, në të cilën dikur ishte shpallur i ashtuquajturi “kalifat” i militantëve të IS-t në Siri dhe Irak.

Luftimet kësaj herë janë fokusuar në fshatin Baghuz, afër kufirit të Sirisë me Irakun.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve, AFP ka thënë se shumica e të dorëzuarve duket se kanë qenë të plagosur.

Forcat Demokratike Siriane kanë thënë se prej 10 marsit, rreth 3,000 pjesëtarë të IS-it janë dorëzuar te forcat e tyre, transmeton REL.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështetsin grupe të ndryshme rebele në luftën civile tetëvjeçare në Siri, derisa Rusia dhe Irani mbështetin qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Shtetet e Bashkuara tani janë në proces të tërheqjes së numrit më të madh të trupave nga ky shtet, vendim, i cili ka nxitur shqetësim në mesin e luftëtarëve kurdë.