Meta kërkon heqjen e vizave me Azerbajxhanin

Meta kërkon heqjen e vizave me Azerbajxhanin

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka kërkuar heqjen e vizave me Azerbajxhanin. Këtë gje, Presidenti shqiptar iu ka kërkuar homologut të tij azerbajxhanas.

Gjatë takimit me Ilham Aliyev, Meta nënvizoi  se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve, transmeton oranews.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev i ka dhënë projekteve të gazsjellësve TAP dhe IAP, nëpërmjet të cilave Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të rëndësishëm të korridorëve botërore të energjisë.

Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë.

Gjithashtu, Presidentët Meta e Aliyev vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.