Në Panairin e Punës në Gjakovë ofrohen mbi 700 vende të punës

Në Panairin e Punës në Gjakovë ofrohen mbi 700 vende të punës

Në Komunën e Gjakovës sot është hapur Panairi i Punës "Gjakova 2019", ku për qytetarët e kësaj komune janë ofruar mbi 700 vende të punës.

Panairi është organizuar me qëllimin për të krijuar një hapësirë bashkëpunimi mes bizneseve që operojnë në këtë komunë dhe atyre që janë të kualifikuar për të përfituar një punë.

Mbi 50 biznese të kësaj komune sot kanë ofruar punë për të rinjtë.

Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, ka thënë se ky panair ka efekte të shumta, edhe për bizneset por edhe për ata që kërkojnë punë.

 "Unë i shoh disa efekte të këtij panairi, jo vetëm se rreth 700 vende të punës sot janë të hapura për të rinjtë, por në të njëjtën kohë është edhe një mundësi e promovimit të bizneseve e rritjes së biznesit. Është tepër  jetike për komunën tonë, por edhe për të gjithë Kosovën me arrit me krijua kushte, me pas ndërlidhje mes gjithë qytetarëve, atyre që punojnë dhe atyre që kanë mundësi për të punësuar", tha kryetari i Gjakovës.

Kreu i Gjakovës përmendi që para disa ditëve kanë pasur takimin e katërt të këshillit publiko-privat dhe sipas tij panairi i sotëm është një vazhdimësi e asaj që kanë biseduar me bizneset.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që duan të punojnë dhe të gjejnë mundësinë e  ndërsa thirrje ka pasur edhe për bizneset për t'iu ofruar mundësi të gjithë atyre që kërkojnë punë.

Panairi i Gjakovës është mbështetur edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku ministri Skënder Reçica, tha se  do të bëjnë përpjekje që të zvogëlojnë numrin e të papunëve.

"Ky është një bashkërendim i angazhimeve të përbashkëta, në një anë ne si Qeveri dhe në anën tjetër ju si biznese. Këtu është e mira që konsiston në atë që ne si Qeveri në përgjithësi jemi të përkushtuar që të krijojmë kushte të të bërit biznes. Unë e them shpesh dhe me shpresë që shkallën e lartë të papunësisë e cila ka kapur 30 përqindëshin, do të arrijmë ta zvogëlojmë duke hapur perspektivë për bizneset, duke krijuar kushte për bizneset. Pasi vetëm atëherë kur krijohen kushtet, kur ndryshon klima e të bërit biznes, kur krijohet një klimë e favorshme për bizneset atëherë do të rritet mundësia e gjenerimit të vendeve të reja të punës, atëherë do të vije si kjo mundësi që ju i keni të hapura 700 vende të reja të punës", tha ai.

 Edhe ministri u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë të papunë që të shfrytëzojnë mundësinë në këtë  Panair.

Reçica tha thënë se vitin 2019 e kanë shpallur vit të ekonomisë, ku tha se synimi është që të ketë një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, ai tha se krahas nevojave që bizneset kanë për fuqi punëtore po angazhohen që të rinjtë dhe të rejat t'i përgatisin dhe t'i aftësojnë profesionalisht.

Ndërkaq, menaxheri i programit "Rinia, Punësimi dhe Aftësimi nga GIZ, Klaus Bader-Badarre, u shpreh i vendosur për bashkëpunim të mëtejmë mes institucioneve të Kosovës.

 "Duhet që t'i përshtatim nevojat me kërkesa, si dje bashkëpunimin tonë dhe zotimin tonë për të pasur një bashkëpunim edhe më tutje. Andaj, kërkoj edhe nga ju që të shfrytëzoni mundësitë që të kërkoni punë, po ashtu edhe për punëdhënësit ku mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar", tha ai.

Panairi i punës është mbështetur nga komuna e Gjakovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencia e Punësimit e Kosovës dhe Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Ky panair do të jetë i hapur gjatë gjithë ditës së sotme.