Cakaj: Shpresëplotë për çeljen e negociatave me BE në qershor

Cakaj: Shpresëplotë për çeljen e negociatave me BE në qershor

Ministri në detyrë, Gent Cakaj siguroi homologun ëek, se Shqipëria do të vijojë me reformat duke mbetur shpresëplotë se do të ketë një përgjigje pozitive për progresin e vendit në qershor.

“Kohët e fundit flitet për lodhje nga zgjerimi por kjo asesi nuk manifestohet në lodhje të popullit të Shqipërisë dhe institucioneve të saj për të vijuar reformat Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë axhendën pozitive të reformave dhe të mbesim shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrjeve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Ne mbesim komuniteti më pro europian në rajon”, tha ai në konferencën e përbashkët për mediet me kryediplomatin çek, Tomas Petricek.

“Konkluzionet e fundit të Këshillit për Zgjerimin theksojnë se vendimi do të merret në qershor 2019. Nëse për arsye teknike dhe të brendshme të Bashkimit Evropian, vendimi mund të shtyhet është çështje që nuk mund ta komentoj tani.  Ajo që mund të them është se pavarësisht nëse do të ketë shtyrje në publikimin e raport-progresit për shkak të momentit elektoral në BE, ne tani nuk kemi sinjale që kjo shtyrje do të manifestohet edhe në shtyrje të vendimit politik për hapjen e mundshme të negociatave. Ajo çka mund të them është që sfida jonë është të marrim rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave nga Komisionit fillimisht dhe kjo është më me rëndësi sesa datat e vendimit”, shtoi Cakaj./Atsh