Lekaj për rrugën Gjakovë-Dollc: Dëshmi se jemi Qeveri që mbajmë fjalën

Lekaj për rrugën Gjakovë-Dollc: Dëshmi se jemi Qeveri që mbajmë fjalën

Kanë nisur punimet për zgjerimin e rrugës në segmentin Gjakovë-Dollc, projekt i cili do të kushtojë 57 milionë euro.

Në nisje të punimeve ka marrë pjesë ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili ka thënë se ky projekt dëshmon se janë qeveri që mbajnë fjalën.

 “Ja ku jemi për ta dëshmuar përsëri se ne jemi Qeveri e mbajtjes së premtimeve, Qeveri e marrjes së vendimeve të mëdha, Qeveri që i ofron qytetarit më të mirën. Ky investim i rëndësishëm jo vetëm për Gjakovën, por për tërë Dukagjinin. Do ta bëjë këtë anë më atraktive për investime, sepse infrastruktura rrugore e duhur është thelb i zhvillimit ekonomik. Dollc -Gjakovë ka 31 kilometra, andaj ne jemi të përkushtuar që ky projekt do të realizohet në kohë dhe sipas kontratës. Vlera e këtij projekti në tërësi është 57 milionë euro, që pat të drejtë kryetari i Gjakovës që është investimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në Gjakovë”, tha ministri Lekaj.

Ministri Lekaj u shpreh se si Qeveri janë të përkushtuar që në tërë territorin e Kosovës që ta zhvillojnë infrasteukturën, që sipas tij do të ketë investim pozitiv në zhvillimin ekonomik. Lekaj paralajmëroj se ky regjioni në kohën jo shumë të largët do të përfitojë edhe një projekt shumë madhor, siç e ka quajtur ai gjidant, e që është autostrada e Dukagjinit.

Ai tha se shpreson që në mesin e tetorit do të fillojnë punimet. Ai ka folur edhe për koalicionin qeverisës.

 “Shpresoj që në mesin e tetorit do ta vejmë gur themelin dhe ne tregojmë që si Qeveri e z.Haradinaj, si Qeveri e koalicionit që sado që ka fjalë ne po rrugëtojmë bashkërisht për të mirën e vendit po e fuqizojmë shtetin. Jo vetëm në anën politike, por edhe ekonomike edhe në infrastrukturën dhe qytetari po ndihet shumë më i sigurt me këtë Qeveri”, tha ai.

 E këtij projekti iu ka gëzuar kryetari i Komunës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se ky projekt është më i madhe që po ndodh si investim i qeverisë për një periudhë të gjatë kohore.

“Kjo rrugë e cila kushton mbi 4 milionë euro dhe e cila ka afërsisht 5 kilometra segmenti i parë i rrugës Gjakovë –  Dollc, e cila është buxhetuar dhe projektuar nga Qeveria Haradinaj dhe nga ministria e Infrastrukturës. Ky është njëri prej projekteve më të mëdha që po ndodh në Gjakovë si investim i Qeverisë diku 30 ose më shumë vite. Ka më shumë se 30 vite që një projekt kësisoi nuk ka ndodhur në komunën tonë”, u shpreh ai.

Kreu i Gjakovës tha se shumë shpejt nën udhëheqjen e kryeministrit Haradinaj do të shohin edhe projekte të reja, e që sipas tij Gjakovën do ta nxjerrin në një kapitull të ri. Në ceremoninë e fillimit të punimeve për segmentin Gjakovë-Doll, ishte paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj, por i cili nuk ka ardhur dhe nuk është treguar për arsyet e anulimit të pjesëmarrjes së tij në këtë ceremoni.