Milot Rashica kujton rrugëtimin e tij plot sakrifica

Milot Rashica kujton rrugëtimin e tij plot sakrifica

Milot Rashica e ka kujtuar rrugëtimin e tij të vështirë nga futbolli kosovar, ku kishte nisur gjithçka e deri tek arritja në Bundesligë. Futbollisti kosovar ka zbuluar shumëçka edhe nga jeta e tij

Milot Rashica është njëri prej futbollistëve të rrallë që kanë dalë nga futbolli kosovar e që kanë arritur suksese në futbollin evropian.

Futbollisti kosovar e ka dhënë një intervistë për “Mein Werder”, ku ka folur gjerë e gjatë për jetën dhe karrierën e tij profesionale, shkruan Express.

Gjithçka kishte nisur në Vushtrri, ku ai i kishte marrë hapat e parë të futbollit.

“Në moshën 6 apo 7 vjeçare, unë nisa të luaja futboll në shkollën e futbollit të quajtur ‘Vushtrria 04’, Më pas, shkova në një shkollë tjetër të quajtur ‘Forca’ në qytetin tim, Vushtrria. Më pas luajta në Kosovën e Vushtrrisë, në klubin më të madh të qytetit. Ekipet e të rinjve atje nuk luanin në ndonjë ligë në atë kohë. për këtë unë u zhvendosa në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë për t’iu bashkuar shkollës së futbollit ‘Kurda’. Pas 5 vjetësh u ktheva në Vushtrri në ekipin e parë. Në moshën 16 vjeçare unë debutova në ekipin e parë. Në sezonin e parë timin i shpëtuam rënies nga liga, ndërsa sezonin pasues u bëmë kampionë dhe e fituam Superkupën. Ishte diçka e madhe për mua dhe për tërë qytetin. Unë isha lojtar i ri dhe luajta në çdo lojë. Më pas u transferova në Vitesse Arhnem”, ka thënë fillimisht Rashica.

Por, përse ka luajtur më shumë në shkolla të futbolli sesa në klube kur ishte më i ri?

“Ka shumë shkolla të futbollit në Kosovë. Natyrisht, ka edhe klube, por shkollat e futbollit në qytete shpesh ofrojnë kushte më të mira sesa klubet normale. Këto shkolla drejtohen nga ish-sportistë profesionistë dhe ata gjithashtu marrin pjesë në ligate juniorëve”, shtoi Rashica.

Përfaqësuesi kosovar ndërkohë e ka treguar një kuriozitet, duke thënë se në vend se të ecte, hapat e parë i kishte bërë duke vrapuar. Prandaj, edhe është bërë futbollist dhe vrapon non-stop.

Ai ka zbuluar se prindërit gjithmonë e kanë mbështetur dhe se kanë sakrifikuar shumë. Miloti kishte gjithçka që kishte nevojë. “Pa ta, nuk do të isha ku jam sot. Mendoj se prindërit janë krenarë me mua sot. Ata më vizitojnë shpesh në Bremen”, tregon vushtrriasi.

Rashica ndër të tjera thotë se gjithmonë e ka përcjellë kampionatin gjerman, krahas atyre spanjollë, italianë e anglezë. Kurse, tek Werderi thotë se i pëlqenin lojtarët si Diego, Mesut Ozil e Kevin de Bruyne.

Gjatë luftës në Kosovë Milot Rashica ishte shumë i ri dhe nuk e kujton atë. Sidoqoftë, ai thotë se tash Kosova është e lirë dhe në rrugën e duhur për të ecur përpara.

“Kam qenë shumë i ri në atë kohë dhe nuk mund të kujtoj shumë gjëra. Natyrisht, me kalimin e viteve kam dëgjuar nga njerëzit të flisnin për luftën dhe kam parë fotografi dhe video. Ishte një situatë e keqe për njerëzit në Kosovë. Shumë prej tyre është dashur të largoheshin nga vendi. Kam miq që i kanë humbur të afërmit në luftë. Tash kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe jemi një vend i lirë. Kosova është në rrugën e duhur”, shprehet Rashica.

Milot Rashica fillimisht e kishte zgjedhur Kombëtaren shqiptare. Por, pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, vushtrriasi vendosi t’iu bashkohej “Dardanëve”. Për këtë është krenar.

“Shumë njerëz kanë luftuar për ta pasur këtë ekip kombëtar. Ne duam t’i bëjmë të gjithë krenarë. Entuziazmi është i madh, biletat për ndeshjet e ardhshme me Danimarkën dhe Bullgarinë janë shitur për një kohë të shkurtër. Njerëzit në Kosovë janë tifozë të mëdhenj të futbollit”, tregon Rashica.

Ai ndër të tjera zbulon se njerëzit janë krenarë me të dhe me shokët e skuadrës.

“Atje tashmë të gjithë na njohin. Natyrisht, njerëzit na ndalin për të bërë fotografi së bashku. Mbi të gjitha pasi e fituam grupin në Ligën e Kombeve. Kjo ishte diçka mjaft speciale. Në çdo stërvitje dhe në çdo lojë kemi tifozë. Ata vijnë edhe në hotelin tonë dhe në mbështesin shumë. Futbolli në Kosovë po bën përparim të madh. Kur Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-s e FIFA-s, ishte e vështirë. Por, kjo ka ndryshuar fatmirësisht. Në të njëjtën kohë, skautët kanë ardhur në vendin tonë dhe shumë lojtarë të rinj po lëvizin drejt Shqipërisë apo Kroacisë”, shpjegon Rashica.

Rashica e ka falënderuar Altin Lalën, menaxherin e tij që e kishte transferuar në Evropë, për të cilin thotë se e ka ndihmuar shumë që të arrijë ku është sot.

Futbollisti kosovar po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme tek Werderi, me të cilin i ka realizuar 5 gola në vitin 2019.

Ai është i gatshëm për ta ndihmuar Përfaqësuesen e Kosovës në miqësoren e 21 marsit ndaj Danimarkës dhe në ndeshjen e 25 marsit ndaj Bullgarisë, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2020.