Vuniqi: Kosova dhe Bavaria do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik

Vuniqi: Kosova dhe Bavaria do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Rejhane Vuniqi, është pritur në një takim në Ministrinë e Shtetit Bavarez për Mbrotje të Ambientit dhe të Konsumatorëve, nga Drejtori i Përgjithshëm, Dr. Christian Barth, dhe ekipi i ekspertëve të tij.

Me këtë rast, Vuniqi ka shprehur interesimin e Kosovës, që të përfitojë nga sukseset e Bavarësisë edhe në sektorin e mbrojtjes së ambientit dhe riciklimit të mbeturinave dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën e deritanishme në këtë sektor, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale ashtu si edhe nëpërmjet projekteve të mbështetura përmes GIZ-it gjerman.

E dyta e MPJ-së në Kosovë e ka ftuar bashkëbiseduesin, që së bashku me ekipin e ekspertëve nga ky sektor, të realizojnë një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër situatën në teren dhe të diskutojnë mbi mundësitë e projekteve konkrete.

Ndërkaq, drejtori Barth e ka siguruar zëvendësministren, Vuniqi, për mbështetjen e tyre për të ofruar ekspertizën, sidomos në sektorin e riciklimit dhe ka premtuar, që Institucionet kosovare të linjës do të ftohen në konferencat, forumet dhe panairet, që kjo ministri organizon në lidhje me këtë sektor.

Poashtu zëvendësministrja Vuniqi, është pritur në një takim ndaras edhe nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Bavarisë, Dr. Thomas Gruber, njofton Ministria e Punëve të Jashtme përcjellë Klan Kosova.