D’Addario: Situata e sigurisë në vend është e mirë

D’Addario: Situata e sigurisë në vend është e mirë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, ka thënë se situata e sigurisë në vend është e mirë.

“Nuk shoh intencë për degjenerim. Shqetësim janë deklaratat provokuese sepse ato krijojnë një mjedis ku nëse ndodhë një incident mund të përkeqësohet. Retorika dhe deklaratat e forta nuk ndihmojnë”, ka thënë D’Addario, njofton Klan Kosova.

“Është në tërë rajonin një tendencë e retorikës. Disa kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe tjetra me diskursin politik. Ne duhet ta japim maksimumin që të mos bien në kurthin e retorikës”.

Sa i përket kërcënimi të Serbisë për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës, D’Addario ka thënë se nuk parapëlqen që t’i komentojë ato.

“Më duhet të them se mjedisi siç e shoh unë dhe nga informacionet që kam nuk presim kurrfarë kërcënimi nga asnjë anë. Misioni ynë është që të ofrojmë mjedis të qetë dhe të sigurt në gjithë Kosovën. Njerëzit mbahen peng të klimës së perceptimit dhe këtu i kushtojmë vëmendje më së shumti veriut”.

Ai ka komentuar edhe zhvillimin e ushtrimeve ushtarake të KFOR-it në Kosovë, por se ka thënë se nuk janë kundër askujt.

“Në ditët dhe javët e kaluara e kemi shtuar numrin e ushtrimeve dhe këtë e bëjmë që të jemi të gatshëm për kudo që kërkohet. E bëjmë sepse ne ushtarakët aplikojmë t’i praktikojmë gjërat. Po bëjmë patrullime. Njerëzit si në veri edhe në jug nuk duhet të ndjehen të kërcënuar. Ne po bëjmë punën tonë që të sigurojmë një mjedis të sigurt”.

Se a janë këto ushtrime kundër Serbisë, D’Addario është përgjigjur shkurt “Jo fare”

“Kemi diskutime shumë të mira me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë. Kemi marrëdhënie të mira me FSK-në. Kemi diskutime edhe me Forcat e Armatosura Serbe. Këtë e bëjmë që ta sigurojmë një mjedis pa befasi. Nuk dimë për intenca për sulme nga jugu a veriu, por ne duhet të jemi të gatshëm që ta kryejmë punën tonë”, tha D'Addario.

“Bëjmë patrullime me forcat e armatosura [FSK-në} dhe policinë [Policinë e Kosovës]. Asgjë specifike. Në të vërtetë ka pas diskutime nga shtypi, por ne nuk kemi parë eskalime”, përdundoi ai.