Spitaleve të Kosovës u ndalohet reklamimi për fekondimin In Vitro

Spitaleve të Kosovës u ndalohet reklamimi për fekondimin In Vitro

Ndonëse përmes një udhëzimi administrativ, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë lejon frytnimin e asistuar mjekësor (In Vitro), spitaleve që ofrojnë këtë shërbim u mohohet e drejta e reklamës.

Një gjë e tillë u mundëson spitaleve të shteteve fqinje që të kenë përparësi në raport me ato që operojnë në vend, pikërisht për shkak të reklamave. Ndërkohë që spitalet vendore që ofrojnë shërbimin e fertilizimit “In Vitro” funksionojnë në bazë të legjislacionit dhe rregullave të vendit, reklamimi i kësaj procedure mbetet “tabu” në Kosovë.

Këtë e thotë edhe Luljeta Peko, menaxhere operacionale në spitalin “Bahceci”, e cila thekson se pamundësia që u bëhet spitaleve, për të prezantuar veten si një institucion shëndetësor i besueshëm për pacientët, krijon përshtypjen e pasaktë që konkurrenca në vendet tjera është më e mirë.

Duke folur për KosovaPress, Peko thotë se në këtë mënyrë nuk po mbrohen qytetarët e vendit, atëherë kur bëhen pacientë në shtetet tjera.

Sipas saj, reklamimi i fertilizimit “In Vitro” nga ofruesi i shërbimi nuk duhet të konsiderohet diçka ilegale, pasi siç thotë ajo, është shumë e rëndësishme të publikohen normat e suksesit, si dhe të dhënat të jenë të përditësuara dhe prezantojnë diçka që është e kuptueshme për publikun.

“Kur pacientët trajtohen jashtë vendit dhe nëse ndodh ndonjë komplikim, trajtimet pasuese nuk rregullohen nga juridiksioni i MSh të Kosovës, kështu që pacientët, në njëfarë mënyre janë të pambrojtur. Ndërsa nëse ne jemi në gjendje t'i trajtojmë këta pacientë në Kosovë, të drejtat e tyre mbrohen nga MSH dhe sistemi gjyqësor i Kosovës. Në fund të ditës, është vendi jonë që po humbet sepse trajtimet jashtë vendit dhe pagesat për shërbimet e marra në ato vende janë të hyrat tatimore qe mbeten në ato vende”, thotë ajo.

Edhe drejtori i spitalit “Lindja”, Dergut Aliu, thotë për KosovaPress se përkundër rregullimit ligjor për ofrimin e këtij shërbimi, megjithatë nuk u lejohet reklamimi i frytnimit të asistuar mjekësor.

Nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për KosovaPress thonë  se ndonëse çështja e frytnimit të asistuar mjekësor (FAM) është e rregulluar me një udhëzim administrativ, ka edhe kufizimet e veta.

“Udhëzimi Administrativ për Frytnimin e Asistuar Mjekësor i ka edhe disa kufizime të cilat institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë. Të ndaluara janë ato reklama apo sponzorime të FAM të cilat kanë për qëllim joshjen apo manipulimn e opinionit publik si: informata lidhur me mundësinë e përzgjedhjes së gjinisë; deklarime rreth shkallës së suksesit të FAM; pubikimit të emrave të përveçëm të ekspertëve që e ofrojnë këtë shërbim dhe format e tjera të reklamimit. Institucionet të cilat e ofrojnë këtë shërbim, fatkeqësisht disa herë kanë bërë shkelje të këtyre rregullave , për çka në raste të caktuara edhe janë dënuar. Pra, disa forma të reklamimit e sponzorimit janë thjesht të ndaluara me qëllim të mbrojtjes së opinionit dhe në veçanti çifteve që kanë nevojë për frytnim të asistuar mjekësor nga manipulimet, që mund të rezultojnë me dëmtime të shëndetit dhe shpenzime ekonomike familjare”, thuhet në përgjigjen nga MSH.

Sipas MSH-së këtë veprimtari shëndetësore kanë të drejtë ta ushtrojnë spitalet të cilat janë të licencuara për gjinekologji, obstetrikë dhe infertilitet dhe e kanë stafin profesional të kualifikuar për kryerjen e këtij shërbimi.

Por nga kjo Ministri nuk kanë dhënë informata se cilat spitale janë të licencuara për frytnim.

Sipas udhëzimit administrativ, çiftet të cilat nuk kanë mundësi të realizojnë shtatzënësi të dëshiruar në rrugë natyrore, kanë të drejtë të provojnë të kenë fëmijë përmes frytnimit të asistuar mjekësor  gjithnjë duke respektuar kriteret e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ 06/2013.

 

Ky udhëzim saktëson se deri në moshën 45 vjeçare (të femrës), vendimin për t’iu nënshtruar këtyre procedure e merr çifti, sipas gjendjes së tyre shëndetësore, ndërsa për femrat mbi 45 vjeçe që dëshirojnë t’i nënshtrohen procedurës së FAM, vendimin për lejimin ose moslejimin e këtyre procedurave e merr një Komision (KFAM) i formuar nga ministri i Shëndetësisë, në bazë të UA 06/2013, i përbërë prej profileve të ndryshme mjekësore dhe jo-mjekësore (gjinekolog-obstetër, psikiatër, biolog, embriolog, urolog, jurist, zyrtar të MSh), i cili vendimet i merr bazuar në raportet mjekësore të çiftit të kërkuara sipas udhëzimit.


MË SHUME NGA Shëndetësi