Një shkop i ri dirigjenti ofron shpresa për muzikantët e verbër

Një shkop i ri dirigjenti ofron shpresa për muzikantët e verbër

Një kompani që krijon instrumente muzikore të modifikuara ka gjetur mënyra origjinale për t’ia përshtatur krijimet e saj nevojave të personave me aftësi të kufizuara. Kompania ka krijuar një shkop dirigjenti që u jep mundësi edhe personave me probleme shikimi të ndjekin lëvizjet e shkopit.

Kjo arritje hap portat për muzikantë të verbër që duan të luajnë me orketra:

Dirigjenti qëndron përballë orkestrës dhe me lëvizjet e shkopit drejton muzikantët. Ata ndjekin çdo lëvizje të tij për të marrë sinjale nëse do të luajnë më ngadalë, më lehtë, me ritëm apo me intensitet.

Por muzikantët e verbër, si violinistja Abie Baker, e kanë të pamundur të ndjekin lëvizjet e shkopit:

“Në të kaluarën ndiqnim tingujt përreth. Isha pjesë e seksionit të violinave dhe dëgjoja kur të tjerët ngrinin instrumentin për të filluar interpretimin, unë bashkohesha me ta me hamëndje. Pa dyshim nuk ishte një mënyrë e përsosur, sidomos kur luan një pjesë të shpejtë kur nuk ka kohë për të humbur”.

Tani shkopi Haptic ndihmon instrumentistët e verbër të ndjekin dirigjentin. Shpikësi Vahakn Matossian shpjegon se shkopi ka ndjesorë që kapin edhe lëvizjen më të vogël të dirigjentit:

“Shkopi ndjen lëvizjen e dorës. Ndjen këndet, ngritjet e uljet. Ndjen si ndryshimet e lehta ashtu edhe më të forta,” shpjegon shpikësi.

Informacioni transmetohet me sinjale radioje në aparatet që mbajnë në kyçin e dorës ose të këmbës muzikantët. Aparati përcjell dridhje të ndryshme për të informuar muzikantët mbi udhëzimet që përcjell dirigjenti.

Pianisti Kevin Satizabal thotë se kjo shpikje ka sjellë një ndryshim rrënjësor për muzikantët e verbër:

“Teknologjia të lidh me lëvizjet e dirigjentit. Kjo nënkupton se tani orkestrat nuk do të kenë më justifikime për të mos punësuar muzikantë të verbër, pasi teknologjia tani u mundëson këtyre muzikantëve të jenë plotësisht të integruar,” thotë pianisti.

Shkopi Haptic është ende në fazën e provës në duart e instrumentistëve dhe dirigjentëve si Ewan Campbell:

"Gjatë përdorimit arrij të ndjej sinjalet dhe përshtas lëvizjet që bëj pasi shërbejnë si sinjale. Besoj se shumë shpejt do të zhvilloj një stil dirigjimi që nuk bazohet shumë në konceptin pamor, por në konceptin ndjesor”.

Shpikësi shpreson se kompania e tij, “Human Instruments” do të arrijë ta hedhë në treg shkopin e ri të dirigjentit vitin e ardhshëm./VoA