Meta: Klasa politike të marrë përgjegjësi, kriza zgjidhet me dialog

Meta: Klasa politike të marrë përgjegjësi, kriza zgjidhet me dialog

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është shprehur sot se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe të mos fshihet pas asnjë ndërkombëtari.

Presidenti është shprehur sot në një prononcim për mediet se Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze, jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale, por edhe përfaqësimi tashmë.

“Është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për ta thelluar këtë krizë. Por përsëri është detyra ime të bëj thirrje për reflektim nga të gjithë sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë normalitet, por gjithashtu të vazhdojmë të shtojmë kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në këtë rajon me sfida të rëndësishme dhe kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim”, ka theksuar Meta.

I pyetur mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve, Meta është shprehur se, “klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe të mos fshihet pas asnjë ndërkombëtari, siç ka ndodhur deri tani. Çështjet duhen zgjidhur me dialog, në mënyrë transparente, në mënyrë parimore, larg pazareve apo keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”.

Ndërsa i pyetur për influencën ruse, Meta tha se “ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe”.

Gjithsesi, shtoi ai, “nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”.