Lansohet projekti `Ruje, mos e gjuj`

Lansohet projekti `Ruje, mos e gjuj`

`Green Art Center`, ka nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me komunën e Vushtrrisë dhe me `Coca Cola HBC Kosova` për projektin `Ruje, mos e gjuj`, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe riciklimit në përgjithësi.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen një sërë aktivitetesh me qëllim që të mblidhen dhe riciklohen shishet e plastikës si dhe kanaçet.

E ky projekt u lansua pikërisht sot, në ditën botërore të Riciklimit, projekt ky i cili do të implementohet prej këtij muaji e deri në nëntor të vitit 2019.

Drejtoresha ekzekutive e GAC-it, Merlina Beu-Muçaj me rastin e lansimit të kësaj kampanje tha se sot po lansohet kampanja që i bashkëngjitet të gjitha aktiviteteteve të GAC-it në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe që do të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes qytetare për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim.

"Ky projekt nën moton 'Ruje, mos e gjuj', e jep vetvetiu mesazhin për rëndësinë e riciklimit, si vlerë ekonomike të asaj që në jetën e përditshme i quajmë mbeturina", tha Beu-Muçaj derisa po lansohej kjo kampanjë.

E ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi tha se projekti 'Ruje, mos e gjuj', është shembull i mirë i vetëdijesimit të qytetarëve mbi rëndësinë e mbledhjes dhe riciklimit të shisheve dhe kanaçeve për të evituar ndotjen e mjedisit.

"Bashkëpunimi midis institucioneve, bizneseve, shoqërisë civile dhe qytetarëve, për ndarjen, grumbullimin dhe riciklimin e shisheve, kanaçeve dhe mbeturinave tjera është shumë i rëndësishëm dhe shumë i mirëpritur", tha ministri Matoshi.

Ai, bëri të ditur se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, këtë vit ka nisur hapat për krijimin e sistemit të kthimit të depozitave dhe rimbursimit për çdo shishe të kthyer. "Kjo sigurisht se do të ndikoj pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit nga ndotja. Krahas kësaj, në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ne bashkë me GIZ-in kemi lansuar edhe një grant prej 7 milionë eurosh për të mbështetur komunat në këtë fushë", theksoi ministri Matoshi.

Ndërkohë, Komuna e Vushtrrisë është një nga partnerët kryesor ku do të implementohet projekti.

 


MË SHUME NGA Nacionale