Warriors dështojnë në San Antonio

Warriors dështojnë në San Antonio

Kanë mbetur edhe pa ndeshje deri në mbyllje të sezonit të rregullt në NBA dhe skuadrat po kërkojnë të marrin rezultatet më të mira të mundshme për t’u pozicionuar në vendet më komode në zonën play off.

Sfida më e fortë e mbrëmjes u luajt në “AT&T Center” të San Antonios, ku Spurs iu imponuan 111-105 kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, Golden State Warriors, duke u ngjitur në vendin e pestë. Warriors, të privuar nga DeMarcus Cousins, u besuan Steph Curry-t, që shënoi 25 pikë, dha 8 asiste dhe kontrolloi 7 topa poshtë koshit, dhe Kevin Durant, që e mbylli takimin me 24 pikë. Mirëpo Spurs e menaxhuan më së miri ndeshjen, falë lojës së DeMar DeRozan, që rezultoi më i miri mbi parket me 26 pikë, 8 asiste dhe 9 “rebound”. Pas kësaj humbjeje, kampionët në fuqi të NBA bashkëkryesojnë me të njëjtin numër fitoresh dhe disfatash me Denver Nuggets.

Një tjetër përballje shumë e rëndësishme ishte ajo e “TD Garden” mes Boston Celtics dhe pikërisht Denver Nuggets, që u mbyll me fitoren 105-114 të skuadrës nga Colorado. Një sfidë që shkoi “kokë më kokë” deri në periodën e katërt, ku 6 minuta para fundit diferencën e bëri me tri gjuajtje të sakta për tre Nikola Jokic, që realizoi në total 21 pikë, 7 asiste dhe plot 13 “rebound”. Për Celtics nuk mjaftoi paraqitja e mirë e Kyrie Irving, që shënoi në 30 pikë. Denveri mbetet në vendin e dytë vetëm falë rezultateve në sfidat direkte të Golden State.

Fitore e lehtë në Lindje e Toronto Raptors 128-98 ndaj New York Nicks. Skuadra kanadeze e pati si shëtitje këtë përballje, madje edhe pa dy “yje” në përbërje, si Kawhi Leonard (u la pushim) dhe Serge Ibaka (i skualifikuar).

Oklahoma City Thunder, pa Russell Westbrook, që ishte i skualifikuar, humbën në shtëpi përballë Miami Heat me rezultatin 106-117. Skuadra nga Florida ruan vendin e tetë në Lindje falë lojtarëve të stolit të rezervave, që në këtë përballje realizuan më shumë pikë se formacioni bazë. 25 pikë për Dwyane Wade, ndërsa Goran Dragic spikati me 26 pikë e 11 asiste. Për Thunder nuk mjaftuan 31 pikët e Paul Geoge dhe 27 të Jerami Grant.

Rezultatet:
Cleveland Cavaliers – Detroit Pistons 119-126
Washington Wizards – Utah Jazz 95-116
Boston Celtics – Denver Nuggets 105-114
Toronto Raptors – New York Knicks 128-92
Oklahoma City Thunder – Miami Heat 107-116
San Antonio Spurs – Golden State Warriors 111-105
Dallas Mavericks – New Orleans Pelicans 125-129
Phoenix Suns – Chicago Bulls 101-116
Portland Trail Blazers – Indiana Pacers 106-98