Eriksen, i gatshëm për ndeshjen kundër Kosovës

Eriksen, i gatshëm për ndeshjen kundër Kosovës

Ekipi kombëtar i Danimarkës mbështetet jashtëzakonisht shumë në ndihmën e mesfushorit të Tottenhamit, Christian Eriksen, i cili ka bërë të ditur se përkundër lodhjes, është i gatshëm të luajë në ndeshjen kundër Kosovës dhe Zvicrës.

Djemtë e Danimarkës do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër skuadrës së Bernard Challandes të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje i paraprin ndeshjeve të vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

Erikseni i ka zhvilluar 38 ndeshje me klubin e tij, Tottenhamin, gjatë këtij sezoni. Kjo fazë e sezonit është mjaft e zënë për klubet e futbollit anglez, mirëpo Erikseni ka bërë të ditur se është i gatshëm të luajë në dy ndeshjet e radhës së Danimarkës.

Pas Kosovës, Danimarka do të përballet me ekipin kombëtar të Zvicrës. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

“Këmbët e mia janë mirë. Ne nuk luajtëm në fundjavë dhe ka qenë një kohë e gjatë që kur i kemi luajtur ndeshjet çdo tri apo katër ditë. Kjo është e mirë dhe është pak e çuditshme. Jam paksa pa pushim për shkak se dua të luaj sa më shpejt”, ka thënë Eriksen.

Ndërsa, pas kësaj ndeshjeje kundër Danimarkës, edhe Kosova do ta ketë një përballje më të rëndësishme, atë kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020./Express/