Të enjten protestë para Kuvendit

Të enjten protestë para Kuvendit

Një mesazh “i rrufeshëm” ka “shqetësuar” demokratët mbrëmjen e vonë të së hënës.

Gjatë ditës, kryetari i PD-së Lulzim Basha kishte mbledhur krerët e degëve nëpër rrethe për të diskutuar mbi organizimet e mëtejshme, pas protestës së të shtunës së kaluar më 16 mars, por asnjë vendim nuk ishte bërë i ditur, e nuk dihej nëse ishte marrë një i tillë apo jo.

Ka qenë pikërisht ora 23 e natës, kur në telefonat e demokratëve mbërrin mesazhi i shkurtër, por i qartë:

“Të nderuar! Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve u vendos që protesta e radhës të jetë të enjten, në datën 21 mars 2019, ora 9:30, përpara Parlamentit”.

Një mesazh i ngjashëm rrufè, demokratëve iu kishte mbërritur edhe pak ditë më parë, kur pas protestës së parë të zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë, që vinte pas asaj të dhunshme para Kryeministrisë më 16 shkurt, demokratët u njoftuan të organizoheshin brenda vetëm pak orësh, vetëm sepse morën vesh që kryeparlamentari kishte thirrur seancën zëvendësuese plenare, që ishte anuluar pikërisht prej protestës opozitare, nga e enjtja në të martë.

Në takimin e Bashës me krerët e degëve, për të diskutuar vijimin e aksionit të opozitës, një ndër datat që u diskutua ishte edhe e shtuna e 23 marsit, ditë kur socialistët mbledhin Kongresin e partisë.

Por, në përfundim, pas vlerësimit të situatës nga zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, u vendos që të lihej në fuqi vetëm vendimi për protestë para Parlamentit sa herë të ketë seancë.