Greqi: A do t`i ndërpresë shteti rrogat e priftërinjve?

Greqi: A do t`i ndërpresë shteti rrogat e priftërinjve?

Rreth 10.000 priftërinj në Greqi paguhen nga shteti dhe kanë status nëpunësi. Kjo do të ndryshojë. Qeveria e kryeministrit Cipras në valën e masave të kursimit synon, që në të ardhmen ata të paguhen nga kisha.

Në Greqinë thellësisht besimtare planet për ndryshimin e mënyrës së pagesës së priftërinjve - këtej e tutje nga vet kisha e jo më nga shteti është pothuajse si një revolucion. Kisha proteston, ndërsa në publik plani diskutohet në mënyrë kontroverse. Konstantinos Michaelidis shërbesës në një kishë në Athinë, thotë se kur ai mban mesha e heq nga mendja e harron grindjen, që zhvillohet jashtë kishës për rrogën e tij. Madje për Michaelidis ky është një diskutim i tepërt. "Kuptohet, që kisha asnjëherë nuk vdes, sepse ajo është vet Krishti. E ndër shekuj, pavarësisht çfarë ka ndodhur, edhe nëse ne të gjithë nuk jemi më, kisha do të mbetet. Përse duhet të flasim ne tani për këtë? Unë nuk besoj, që kjo do ta ndryshojë mënyrën se si ne punojmë.  Ne nuk do të mbajmë më pak mesha dhe as nuk do të bëjmë grevë." 

Propozimi i qeverisë se në këtë mënyrë 10.000 priftërinj me statusin e nëpunësit, ndër ta edhe babai i dy fëmijëve Michaelidis, mund të hiqen nga listat e borderosë, aktualisht shtron më shumë pikëpyetje se sa jep përgjigje. Besimtarët nuk janë në unanimitet lidhur me këtë ide. Një qytetare, Vassilikia, mendon: "Unë nuk dua ta komentoj këtë, dua vetëm të them, se nuk është e mençur t'i zëmërosh priftërinjtë, sepse puna e tyre është e dërguar prej Zotit."

Ndërsa Giouli Fragkia thotë, se "Unë mendoj se Kisha ka mjaft para për të paguar për ta. Përse duhet të paguajë unë? Mua ma kanë shkurtuar pensionin dhe pagën. Përse mua? Kisha është një shtet më vehte. Ajo mund të financojë vetvehten." Një tjetër qytetar, Georg, thekson: "Duhet të mbetet siç ka qenë. Ata janë nëpunës. Mjaft më me truket politike."

Ende po negociohet fort mes politikës dhe krerëve të kishës. Përgjatë gjithë viteve të krizës qeveritë greke e kanë mbrojtur kishën shumë të pasur prej taksave për shembull. Të gjithë politikanët kanë heshtur lidhur me faktin, se si kisha greko-ortodokse ka manovruar në të shkuarën. Kostas Gavroglou, ministër i Arsimit në Greqi vë në dukje: "I gjithë numri i priftërinjve, që janë të regjistruar në bordero, nuk korrespondon me numrin e vendeve të planifikuara të punës për priftërinj. Vende të planifikuara pune janë ato vende, që përcaktohen ligjërisht sipas nevojave. Në të shkuarën numri i këtyre vendeve është rritur lehtë, por ka një numër të madh priftërinjsh, që paguhen, pa pasur një vend të planifikuar."

Një tjetër problem që ngjall shqetësim lidhur me kishën, është se nuk dihet vlera e vërtetë e pasurive të patundshme të kishës – sepse në Greqi nuk ekziston një kadastër. Për juristët e kishës si Ioannis Panajotopoulos ky është një neglizhim i madh i politikës. Edhe rregulloren e re të pagave ai e kritikon:  "Ka qenë një gabim komunikimi, që ka bërë qeveria. Nëse ajo do 10.000 vende pune, atëherë duhet t'i krijojë ato. Për këtë nuk duhet që t'u hiqet paga në këtë mënyrë 10.000 priftërinjve, kjo është e paimagjinueshme dhe jo etike."

Prej vitesh çështja e pasurisë së kishës është në pikëpyetje, por ajo asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Nëse sqarohet kjo, ndoshta mund të zbutej grindja për shkurtimin e vendeve të punës, mendojnë shumë. Vassiliki Koitsanou nga Unioni i Ateistëve në Greqi thotë: "Asnjëherë nuk ka pasur një vlerësim të mirëfilltë të pasurisë së kishës. Vazhdimisht thuhet, se ajo nuk është e madhe, por sa është kjo pasuri? Askush nuk e di këtë "të madhe" apo "të vogël". Për shumë vite nuk ka pasur një regjistër themeltar. E për këtë ne duhet të paguajmë edhe gjoba në BE."

Greqisë i duhen para. Shkolla, spitale - në shumë drejtime duhen bërë investime. Qeveria shpreson, që me shkurtimin e 10.000 vendeve të punës për priftërinjtë mund të hapë vende të reja pune diku tjetër. 

Ministri i Arsimit vëren: "Spitalet tona kanë nevojë për më shumë njerëz. Nëse ne gjejmë një zgjidhje, prej së cilës mund të punësojmë njerëzit tanë dhe në anën tjetër askujt nuk ia kufizojmë të drejtën, atëherë kjo është e favorshme për të dyja palët."  Por Konstantinos Michaelidis ende nuk e ka të qartë favorin e tij. Ai paguhet me rreth 1000 Euro në muaj, diçka shtesë i vjen edhe prej donacioneve private. Ai shpreson, që në fund të bisedimeve të ketë një rezultat të mirë për të gjithë pjesëmarrësit: "Në aspektin njerëzor, si baba familjar, si dhe priftërinjtë  në të gjithë Greqinë, natyrisht ndihemi të pasigurtë. Sepse kemi ndjenjën, që po na marrin në një farë mënyre si peng, nëse kjo do të zbatohet, sa ka të bëjë me marrëveshje lidhur me pagën. Do të kemi në një status pengu dhe do të jemi në një nivel të kodit mesjetar të punës. Unë nuk besoj, që ne e kemi merituar një gjë të tillë." Por deri atëherë prifti Michaelidis do të vazhdojë të shërbejë në komunitetin e tij. Ai e di, që vitin e ardhshëm ka zgjedhje në Greqi. Kështu ai nuk lutet vetëm për besimtarët e tij, por edhe për të ardhmen e familjes së vet./DW