Përmbytje në SHBA, 3 persona humbin jetën nga vërshimi i ujërave

Përmbytje në SHBA, 3 persona humbin jetën nga vërshimi i ujërave

Shtetet qendrore amerikane po përballen me përmbytje rekord që kanë kushtuar deri më tani 3 jetë njerëzish. Një prej viktimave ishte një burrë, që po përpiqej të shpëtonte nga vërshimi i ujit disa persona, të cilët nuk i njihte.

Të paktën 5 shtete janë detyruar të shpallin gjendjen e emergjencës, ndërsa komunitete të tëra kanë mbetur të izoluara krejtësisht.

Reshjet e furishme të shiut dhe shkrirja e dëborës konsiderohen shkaktarët e përmbytjeve historike që kanë detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

Nebraska është shteti i goditur më rëndë nga vala e përmbytjeve, që pason stuhinë e fuqishme dimërore të u përplas javën e kaluar mbi Shtetet e Bashkuara. Një fenomen meteorologjik i lidhur me uraganët, të cilin shkencëtarët e quajnë “cikloni bombë”, goditi përpara disa ditësh Rocky Mountains dhe rrafshinat qëndrore të vendit, duke lëshuar borë e shi të ngrirë mbi miliona amerikanë në Iowa, Nebraska, Wisconsin, Minnesota dhe Dakotën e Jugut.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar paralajmëroi se përmbytjet në disa zona mund të vazhdojnë edhe për pjesën tjetër të javës. Presidenti Donald Trump e përshkroi vërshimin e ujërave si “shkatërrues” dhe tha se Shtëpia e Bardhë do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me zyrtarët shtetërore për një informacion sa më të plotë mbi situatën.