Shqipëria, me pagën mesatare më të ulët në Ballkan

Shqipëria, me pagën mesatare më të ulët në Ballkan

Niveli i pagave është një prej faktorëve kyç në varfërinë e popullit shqiptar, pasi rrogat që marrin qytetarët janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën që sa vjen e bëhet më e shtrenjtë. Këtë fakt e përforcojnë dhe përllogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që e nxjerrin Shqipërinë si vendin me nivelin më të ulët të pagës mesatare mujore në Rajonin e Ballkanit.

Sipas FMN-së, pagat në vendin tonë janë mesatarisht 340 euro në muaj, goxha më e ulët në krahasim me vendet fqinje si Maqedonia me pagë mesatare 600 euro në muaj, apo Bosnje Hercegovina me 700 euro. Një tjetër gjetje e FMN-së është edhe diferenca mes atyre që marrin paga të larta dhe numrit tepër të lartë të personave që paguhen me rroga minimale. Në Ballkanin perëndimor, Bosnja dhe Mali i Zi janë shtetet me pagat më të larta mesatare, duke krijuar një pabarazi ekonomike me një vend fqinj si Shqipëria që ka rrogat mesatare më të ulëta. Një raport konvergjence për nivelin e pagave në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me Austrinë, tregojnë se në vitin 2016 kishte një ulje të tyre, sidomos në Shqipëri. E matur me fuqinë blerëse, pagat në Shqipëri janë rreth 25% e pagës mesatare në Austri, teksa paga mesatare në Malin e Zi është 54% e mesatares së Austrisë. Shqipëria mbetet shumë prapa në fundin më të ulët të shkallës së pagave. Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Shqipërisë, kanë raportuar nivele më të larta pagash sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë.

Banka Botërore: Shqipëria, i vetmi vend që shënoi ulje të pagave në 2016-n

Sipas një studimi të posaçëm të Bankës Botërore për pagat dhe produktivitetin në rajon më 2018 u raportua se Shqipëria ishte i vetmi vend që shënoi ulje të pagës reale gjatë vitit 2016, ndër 10 vende të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se klima e investimeve në Shqipëri thekson mangësitë strukturore. Sistemi i dobët i drejtësisë, mangësitë në infrastrukturë, një sistem tatimor tepër kompleks, qasja e kufizuar në financa dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar nuk po krijon një ambient të favorshëm për investitorët, veçanërisht në sektorët e orientuar drejt eksportit.