Kosova përgatitet për Danimarkën, Ujkani e Rashica optimistë

Kosova përgatitet për Danimarkën, Ujkani e Rashica optimistë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Danimarkës, që zhvillohet më 21 mars.

Pas stërvitjes së djeshme ku morën pjesë vetëm disa futbollistë, sonte, përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, me përjashtim të Valon Berishës dhe Hekuran Kryeziut, të cilët nuk janë grumbulluar për shkak të lëndimeve. Pas vrapimit të zakonshëm në fillim të stërvitjes, futbollistët e Kosovës nën udhëheqjen e përzgjedhësit Challandes dhe stafit të tij kanë bërë ushtrime taktike me topin, ku është punuar si në lojën mbrojtëse edhe në atë sulmuese.
Atmosfera në ekipin kombëtar është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë futbollistët i presin me padurim dy sfidat e radhës kundër Danimarkës dhe Bullgarisë, të vetëdijshëm se tani edhe niveli i kundërshtarëve është shumë më i lartë se i rivalëve në Ligën e Kombeve. Stërvitjen e Kombëtares e kanë ndjekur nga afër presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri, si dhe një numër i madh i mediave.

Ndërkaq, Samir Ujkani dhe Milot Rashica në konferencë për media janë shprehur optimistë se  Kosova do të ketë paraqitje të mira në ndeshjet me Danimarkën (miqësore) dhe Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Kapiteni Samir Ujkani beson që Kosova do ta nisë edhe vitin 2019 me rezultat pozitiv, pa marrë parasysh që përballet me një kombëtare të fortë si Danimarka. “Shpresoj ta nisim mirë edhe këtë cikël edhe pse e dimë që Danimarka është kombëtare shumë cilësore. Besoj që jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për ndeshje”, ka thënë Ujkani në konferencë për shtyp pas stërvitjes së sotme.

Ndërsa, Milot Rashica, i cili është duke shkëlqyer te Werder Bremen, ka thënë se do ta japë maksimumin pa marrë parasysh në cilën pozitë luan. “Nuk kemi biseduar me trajnerin, por unë do ta jap maksimumin tim pa marrë parasysh ku do të luaj. Te Werder në shumicën e ndeshjeve jam duke luajtur si qendërsulmues, por atje taktika e lojës është më ndryshe, prandaj jam i kënaqur edhe nëse me Kosovën luaj në një pozitë tjetër”, ka theksuar Rashica.

 

 


​​​​​​​