SHBA-ja dhe Rusia diskutojnë për situatën në Venezuelë

SHBA-ja dhe Rusia diskutojnë për situatën në Venezuelë

Bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për situatën në Venezuelë ishin pozitive dhe thelbësore megjithëse të dyja palët mbajnë qëndrimet të ndara sa i përket legjitimitetit të presidentit, Nikolas Maduro, tha përfaqesuesi i veçantë i SHBA-së, Elliott Abrams.

“Bisedimet ishin të dobishme, thelbësore dhe serioze. Ne u pajtuam për krizën e thellë në Venezuelë. Ne jemi të shqetësuar shumë për natyrën dhe seriozitetin e krizës humanitare”, tha Abrams.

Në bisedimet për krizën në Venezuelë që u mbajtën në Romë, delegacioni rus u kryesua nga zëvëndësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, e ka shpallur veten president të përkohshëm të vendit më 23 janar. Ai është njohur si udhëheqës i shtetit nga Shtetet e Bashkuara, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe shtetet e Amerikës Latine.

Rusia, Irani, Kuba, Bolivia dhe Turqia, vazhdojnë ta njohin Nicolas Maduron si president të Venezuelës.

Rusia – që i kanë dhënë hua miliarda dollarë Venezuelës gjatë viteve të fundit – është mbështetësja kryesore e Maduros, që prej se Guaido kontestoi rolin e tij si udhëheqës i vendit.