Adriana Nimani - Kutllovci fiton ‘Plaketën e Artë’ në Zagreb

Adriana Nimani - Kutllovci fiton ‘Plaketën e Artë’ në Zagreb

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të ngjyrave, sonte në Zagreb u hap ekspozita e pagëzuar ‘ZAGREB FULL COLOR, me pjesëmarrjen e 50 artistëve nga vende të ndryshme të botës, nga Bosnja e Hercegovina, Kroacia, India, Italia, Kosova, Makao, Mali i Zi, Rusia, Serbia dhe Urugvai.

Secili artist po merrë pjesë me nga tri piktura digjitale të formatit të madh, vetëm me qasje koloristike abstrakte. Me këtë rast, juria ndërkombëtare e përbërë prej gjashtë anëtarësh, kumtoi vlerësimet. U ndanë katër shpërblime: një Plaketë e artë dhe tri Plaketa të argjendëta. Shpërblimin e parë – ‘Plaketën e Artë’ (Golden plaque) e fitoi Adriana Nimani – Kutllovci. Pos shpërblimit të parë, Adriana Nimani – Kutllovci fitoi të drejtën e hapjes së ekspozitës personale të pikturave vitin e ardhshëm në Zagreb.Ekspozita ‘ZAGREB FULL COLOR’ do të qëndrojë e hapur një muaj, deri më 14 prill.

Adriana Nimani – Kutllovci ka lindur më 1979 në Prishtinë. Ka kryer gjimnazin ‘Xhevdet Doda’ në vendlindje. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe ka magjistruar në të njëjtin Fakultet. Merret me dizajn, pikturë, grafikë digjitale dhe fotografi artistike. Më 2002 është punësuar dizajnere grafike në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) – TV produksioni. Nga viti 2007 ligjëron lëndën e dizajnit grafik në Kolegjin ‘Design Factory’ në Prishtinë. Ka bërë disa udhëtime studimore gjithandej nëpër galeritë dhe muzetë e metropolave kulturore të vendeve të ndryshme të botës. Ka hapur ekspozitën personale (‘Lotët e detit’, Galeria e Arteve e qytetit të Pejës) dhe ekspozita të përbashkëta në Prishtinë, Tiranë, Sarandë, Berat, Sofje, Cadaqués/Kataloni (Spanjë), Wingfield (Angli), Bages (Francë), Pineda de Mar (Spanjë), Aarhus (Danimarkë), New York dhe Zagreb.

Për vlerat e shquara të veprave të saj ka marrë disa shpërblime: Shpërblimin e parë në ekspozitën ‘Arti Islamik’ (2001); Shpërblimin e parë për pullën postare dhe për zarfin e ditës së parë të Filatelisë së Kosovës, cikli ‘Fëmijët e Kosovës’ (2006); Shpërblimin e parë për pullën postare dhe për zarfin e ditës së parë të Filatelisë së Kosovës, cikli ‘Bjeshkët e Nemuna’ (2013).

Poashtu, Adriana është e angazhuar në aktivitetin humanitar të përvitshëm që mbahet në New York ‘Visual AIDS - Postcard from the Edge’, në përkrahje të personave dhe artistëve të prekur nga HIV AIDS./rtklive.com/