Edhe 30 milionë euro nga BERZH-i dhe BE për Kosovën

Edhe 30 milionë euro nga BERZH-i dhe BE për Kosovën

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë tashmë mund të përfitojnë nga një program i ri i BE-së dhe BERZH-it për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në tregjet vendore dhe rajonale. Programi, i cili u prezantua sot në Prishtinë, ju ofron ndërmarrjeve të pranueshme një pakete me kredi, grante për investime dhe asistencë teknike.

25 milionë euro janë ndarë për dy bankat partnere komerciale, Bankën për Biznes dhe Procredit Bank në Kosovë, dhe do të kombinohen me një paketë të asistencës teknike dhe granteve për investime prej më shumë se 5 milionë euro nga BE në kuadër të Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA). NVM-të mund t’i përdorin fondet për të përmirësuar kapacitetet dhe proceset e tyre të prodhimit si dhe cilësinë e produkteve, përmes implementimit të standardeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, sigurisë dhe cilësisë.

NVM-të në Kosovë përfaqësojnë 99.8 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara dhe gjenerojnë afërsisht 75 për qind të punësimit në vend. Megjithatë ato shpesh vuajnë nga mungesa e konkurrueshmërisë dhe e qasjes në financa, dhe kontributi i tyre në eksport është vetëm rreth 5-6 për qind.

Neil Taylor, Shefi i BERZH-it për Kosovën tha: “Jemi të bindur se ky program i ri do ta përmirësojë qasjen e bizneseve të vogla në financimin e nevojshëm. Kombinimi i financimit dhe i asistencës teknike do të shtyej këto ndërmarrje për ta përmirësuar më tej performancën e tyre. Kemi parë sa i suksesshëm është ky program në vende të tjera, dhe ne jemi të kënaqur që i përkrahim edhe NVM-të në Kosovë”.

Luigi Brusa, Shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë tha:  “Sot është një ditë e madhe për bizneset e Kosovës! Për të përmbushur sfidat në tregun e përbashkët evropian, bizneset kosovare do të gëzojnë qasje në kredi me kosto të përballueshme që mund t’i përdorin për investime në teknologji të reja dhe përmirësime të kapaciteteve. Si rezultat i programit, ndërmarrjet kosovare do të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, do të prezantojnë produkte të reja dhe do të zgjerojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Shpresoj në histori suksesi të bizneseve të Kosovës që përfitojnë nga ky program".

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, u shpreh, “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka në fokus mbështetjen e prodhuesve vendor, ndërmarrjeve që kanë potencial rritjen e eksportit duke zëvendësuar importin për ta përmirësuar bilancin tregtar të Republikës së Kosovës. Po ashtu rëndësi të veçante po i japim kompanive që të krijojnë sa më shumë vende të reja të punës, duke avancuar standardet evropiane dhe implementimin e tyre në kompani vendore. Falënderojmë Bashkimin Evropian për ndihmën dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që po vazhdon mbështetjen për MTI-në dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës”

BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, në Kosovë Banka ka nënshkruar 63 projekte me vëllim neto të investimeve kumulative prej 366 milionë euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it dhe vend i operacioneve në dhjetor 2012.