Lansohet programi për mbështetjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve

Lansohet programi për mbështetjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka prezantuar sot Programin për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme bashkëfinancuar nga BE-ja dhe BERZH-i, program i cili ju ofron ndërmarrjeve një paketë me kredi, grante për investim dhe asistencë teknike.

Programi për Mbështetjen e Konkurrueshnërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Kosovë synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe mundësitë e tyre për tregtim në rajon dhe me shtetet e BE-së, përmes investimeve të selektuara dhe të mbështetura me grante.

Programi ka ndarë 25 milionë euro për dy banka komerciale në Kosovë, Bankën për Biznes dhe ProCredit Banke, po ashtu do të të kombinohen me një paketë të asistencës teknike dhe granteve për investime prej më shumë se 5 milionë euro nga BE në kuadër të Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA).

NVM-të mund t’i përdorin fondet për të përmirësuar kapacitetet dhe proceset e tyre të prodhimit si dhe cilësinë e produkteve, përmes implementimit të standardeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, sigurisë dhe cilësisë.

Në prezantimin e këtij programi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se ndihma që mund t’iu jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në formë të granteve është ndihma më e mirë që shteti mund ta ndihmojnë prodhuesin vendor.

Shala tha se të gjitha aktivitetet që i bënë ministria e që kanë për synim kryesor përkrahjen financiare për kompanitë prodhuese dhe shërbyese në Kosovë, tregojnë zotimin e tij dhe të ministrisë që të qëndrojnë sa më afër prodhuesit vendor.

Po ashtu, ai tha se ta përkrahin jo vetëm në krijimin e ambientit ligjor dhe administrativ për të vepruar në Kosovë, por edhe me përkrahje direkte në plotësimin e nevojave të tyre për pajisje të reja teknologjike, plotësimin e kërkesave në implementimin e standardeve të ndryshme ndërkombëtare të cilësisë si parakusht kryesor për të eksportuar në tregjet e jashtme.

Kurse, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se për të përmbushur sfidat në tregun e përbashkët evropian, bizneset kosovare do të gëzojnë qasje në kredi me kosto të përballueshme që mund t’i përdorin për investime në teknologji të reja dhe përmirësime të kapaciteteve.

Ai tha se si rezultat i programit, ndërmarrjet kosovare do të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, do të prezantojnë produkte të reja dhe do të zgjerojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Neil Taylor, Shefi i BERZH-it për Kosovën, është shprehur i bindur se ky program i ri do ta përmirësojë qasjen e bizneseve të vogla në financimin e nevojshëm. Sipas tij, kombinimi i financimit dhe i asistencës teknike do të shtyjë këto ndërmarrje për ta përmirësuar më tej performancën e tyre.

Taylor, tha se me aq sa ka parë në Kosovë, sektori privat ka shumë potencial.

BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, në Kosovë Banka ka nënshkruar 63 projekte me vëllim neto të investimeve kumulative prej 366 milionë euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it dhe vend i operacioneve në dhjetor 2012.