Manaj: Për dy vite u investuan 300 mijë euro në Arkivat e Kosovës

Manaj: Për dy vite u investuan 300 mijë euro në Arkivat e Kosovës

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës me një ceremoni të veçantë sot shënoi përvjetorin e 68-të të Arkivave të Kosovës, ku me këtë rast u lavdërua puna e këtij institucioni si dhe u apelua për bashkëpunim më të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-së, Ramë Manaj, deklaroi se ndonëse Arkiva e Kosovës kishte trashëguar një gjendje të rënduar nga lufta dhe për 18 vite kishte probleme më hapësirën, teknologjinë si dhe u ballafaqua me mungesën e burimeve njerëzore, sipas tij, me kthimin e këtij institucioni në kuadër të Ministrisë së Kulturës gjërat kanë marrë për mbarë.

Ai tha se për dy vite janë investuar rreth 300 mijë euro në renovimin e hapësirave dhe vendosjen e rafteve si dhe monitorimin sipas standardeve profesionale të lëndës arkivore.

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Manaj, tha se lajm akoma më i mirë mbetet mbështetja buxhetore për katër vitet e ardhshme, që sipas tij, do të shkojë rreth 1.2 milionë euro në investime kapitale.

Ai shtoi se tashmë janë hapur edhe procedurat për renovimin e depos qendrore, si dhe ato për hapjen e Arkivit Ndërkomunal në Ferizaj, që sipas Manaj, është shumë i domosdoshëm.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.

Ai tha se shqiptarët janë kujtuar vonë për të themeluar dhe më pas edhe për t’i ruajtur arkivat e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, që sipas tij, bie ndesh me praktikën që kanë ndjekur vendet e konsoliduara.

Në këtë ceremoni foli edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që tha se Arkivat kanë një rëndësi të veçantë pasi si institucion ka për bazament orientimin e tij themelor që të nxjerrë të vërtetën për popullin dhe vendin.

Ai shtoi se "ata që punojnë për të begatuar Arkivën nuk plaken, ashtu sikurse nuk plaket as shteti, as kujtesa e tij, por ndërtohet formati i tij mbi të vërtetën e cila fatkeqësisht tek shqiptarët ka pasur lakore të shumta".

Në fund, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ndau mirënjohje për personat të cilët kanë kontribuar në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.


MË SHUME NGA Kulturë