Italia kujton Leonardo Da Vinçin në 500 vjetorin e vdekjes së tij

Italia kujton Leonardo Da Vinçin në 500 vjetorin e vdekjes së tij

Sivjet mbushen 500 vite nga vdekja e Leonardo Da Vinçit, gjeniu universal i shkencës, artit, arkitekturës, inxhinierisë, që me veprën e tij i parapriu të gjitha kohërave.

Autori i "Darkës së fundit", i "Xhokondës", i dhjetëra shpikjeve që mbi 5 shekuj më parë i parashikuan njerëzimit, modernizmin e mjaft epokave, ndërroi jetë më 2 maj të 1519 në komunën franceze të Amboise.

Në 500 vjetorin e vdekjes së tij qeveria italiane ka programuar 500 evente për gjatë gjithë këtij viti e një prej të cilave është hapja në muzeun "Scuderie del Quirinale" pranë selisë së Presidencës italiane, të ekspozitës me titull "Leonardo Da Vinçi"- Shkenca para të gjitha shkencave."

Mbi 200 dorëshkrime, skica, dokumente origjinale, makete arkitekture, piktura, fotografi mes të cilave dhe i vetmi libër me shënimet origjinale të Leoardos, rrëfejnë në këtë ekspozitë veprën e Leonardo Da Vinçit në kontestin kulturor e artistik që ka karakterizuar epokën e '400-'500 në Itali.

Ekspozita e ndarë në 10 pavijone eksploron temat kryesore të veprës së Leonardo Da Vinçit, mendimit të tij teknik e humanistik të formuar në Toskanë, e që shfaqet përmes skicave të shpikjeve të makinave të mëdha në zhvillimin e ndërtimit, në artin e luftës, në studimin e anatomisë së zogjve e teknikat e fluturimit të makinave, që paraprinë idenë e avionëve të parë, projektet arkitektonike mbi qytetet ideale, e deri tek biblioteka private e Leonardo Da Vinçit, mes të cilave dhe një libër kuzhine.

Në këtë ekspozitë për herë të parë për publikun roman, ekspozohen 10 skica origjinale të Leonardos që i përkasin Kodikut të Atlantikut të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane.

Përmes ndërtimit të kontestit kulturor të kohës, ndikimit nga disiplina të ndryshme e përshkrimit të aftësive teknike e shkencore të Leonardos, kjo ekspozitë ka ofruar një vizion më të gjerë e të plotë të figurës së këtij gjeniu.

Miti modern i Leonardo Da Vinçit, befason dhe sot 500 vite nga vdekja e tij.

Nuk ka një disiplinë ku ai nuk ka eksperimentuar që nga arti, filozofia, shkenca e anatomia.

"Leonardo Da Vinçi , na bën të jemi krenar si italianë, u shpreh pak ditë më parë gjatë prezantimit të vitit të Da Vinçit, kryeministri italian Giusepe Conte.

Do të jetë një festë që do të zgjasë gjatë gjithë vitit, një rast më shumë për të vlerësuar Italinë e Leonardon tonë. Ky gjeni universal i njohur në të gjithë botën", tha ai.

Kjo ekspozitë shfaq aspektet realisht unike e inovative të punës së Leonardo Da Vinçit, e sensin e  trashëgimisë së ideve të tij përballë modernizimit.