Shoqata “Down Syndrome Kosova” shënon 21 marsin me hapësira të reja

Shoqata “Down Syndrome Kosova” shënon 21 marsin me hapësira të reja

Në Ditën Botërore të Sindromës Down është bërë përurimi i hapësirave të reja për Shoqatën “Down Syndrome Kosova”, hapësira këto që do t’u ofrojnë kushte më të përshtatshme të punës për fëmijët.

Derisa të mos përfundojë ndërtimi i objektit të destinuar për këtë Shoqatë nga Komuna e Prishtinës, hapësirat që do t’i shfrytëzojnë janë dhënë nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe do të jenë pa pagesë.

Aktualisht në Shoqatën “Down Syndrome Kosova” marrin shërbime 50 fëmijë, ndërkohë që në listën e pritjes janë rreth 30 fëmijë. Po ashtu, 20 të rritur me këtë sindrom janë pjesë e programit të shoqatës për të rritur.

Kalimit në hapësira të reja më së shumti iu kanë gëzuar prindërit që fëmijët e tyre janë pjesë e kësaj Shoqate. Në emër të prindërve ka folur Gresa Godeni, e cila ka thënë se po bëhet realitet një nga ëndrrat e tyre.

Ajo u shpreh se gjithmonë kanë dëshiruar që të kenë hapësirë të duhur, ku fëmijëve do t’u ofrohen shërbimet dhe terapitë në formën më të mirë dhe të duhur. Kjo kërkesë sipas saj ka qenë që fëmijëve me sindromwn  down t’u përmbushen kërkesat më elementare dhe të domosdoshme.

Duke iu dridhur duart Gresa iu ka drejtuar djalit të saj, Benit, ku ka thënë se do të jetë gjithmonë pranë tij për ta parë një ditë të pavarur dhe pjesë të shoqërisë.

Kalimin në hapësira të reja, e ka gëzuar edhe drejtoreshën e shoqatës, Sebahate Beqiri, e cila ka thënë se ky 21 mars është më i miri që po e presin.

Ndërkaq, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se komuna e Prishtinës do të jetë gjithmonë e gatshme që të trajtojë kërkesat e shoqatës.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se objekti që komuna e Prishtinës është duke e ndërtuar për shoqatën pritet të përfundojë brenda 16 muajve.

Drejtori i Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës Dren Kukaj, ka thënë se vendosja e tyre në këto zyre është e përkohshme, pasi do të përfundojë objekti që si komunë do ta ndërtojnë.

Ofrimin e këtyre zyrave e ka bërë Ndërmarrja Publike Banesore, ky drejtori i kësaj ndërmarrje Hajdar Hoxha, ka bërë të ditur se janë të liruar nga pagesa e qirasë.

Aktivitete për ta shënuar Ditën Botërore të sindromës Down, Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka organizuar edhe aktivitete të tjera, ku ndër to do të jetë edhe konferenca “Aftësia e Kufizuar Intelektuale në Kosovë”.