ATK: Të raportohen blerjet mbi 500 euro

ATK: Të raportohen blerjet mbi 500 euro

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, nga data 1 janar 2019 dhe deri me datën 31 mars 2019, personat e angazhuar në tregti ose afarizëm, të cilët tatohen në bazë të të hyrave reale dhe që bëjnë blerje të mallrave ose shërbimeve nga personi tjetër i tatueshëm në gjithsejtë pesëqind euro (500€), apo më shumë brenda çdo viti të tatueshëm, duhet të raportojnë blerjet e tilla tek ATK.

Blerjet e bëra nga Qeveria dhe Komunat e Republikës së Kosovës, gjithashtu iu nënshtrohen këtyre kërkesave për raportim.

Pra, personat e përfshirë, por duke mos kufizuar në ta, që kërkohet të dorëzojnë raportet e blerjeve mbi 500 euro, janë: Të gjithë personat e përfshirë në afarizëm, të cilët tatohen në bazë të të hyrave reale; Qeveria dhe Komunat e Republikës së Kosovës; OJQ-të, Institucionet Publike dhe Organizatat e ngjashme; Universitetet, Spitalet dhe Institucionet e ngjashme publike apo private, pa marrë parasysh a janë të regjistruara për TVSH apo jo, etj.

Përjashtim nga personat e lartshënuar që kërkohet të dorëzojnë Raportin e blerjeve mbi 500euro, bëjnë personat të cilët janë deklarues për TVSH, si dhe për periudhën 2018 (të gjithë muajt, janar - dhjetor) kanë dorëzuar Librin e Blerjes dhe Librin e Shitjes, ku kanë përfshirë të gjitha transaksionet e tyre.

Raportimi bëhet online nga Ueb faqja e ATK-së www.atk-ks.org , duke klikuar në linkun Raporto blerjet mbi 500 euro, i cili gjendet në rubrikën e Shërbimeve Elektronike, në anën e majtë të ueb faqes, ku përmes linkut Udhëzime, mund të informoheni për të gjithë hapat që duhet t’i ndërmerrni për të dorëzuar Raportin e blerjeve mbi 500€.

Gjithashtu, Administrata Tatimore e Kosovës, i rikujton të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk respektojnë afatin e paraparë për të deklaruar raportin e blerjeve mbi 500 euro, se do të jenë objekt i masave ndëshkuese të parapara me Legjislacionin Tatimor të Kosovës.