Lëshohet urdhëresë për verifikim adrese ndaj të akuzuarit

Lëshohet urdhëresë për verifikim adrese ndaj të akuzuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së Jeton Mujës, i akuzuar se ka kryer veprën penale shpërdorimi i pasurisë së huaj dhe atë të kanosjes së zyrtarëve policorë, pas arrestimit.

Sipas gjykatësit të çështjes, Hanefi Jashari, nga fletëkthesa e dorëzuar në gjykatë më 6 mars të këtij viti, rezulton se i akuzuari Muja është shpërngulur në adresë të panjohur.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që dështon të mbahet shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, pasi për shkak të mungesës së të akuzuarit Muja nuk ishte mbajtur edhe seanca e 19 shkurtit të vitit 2019.

Andaj, derisa të bëhet verifikimi i adresës së banimit të të akuzuarit, gjykatësi Jashari mori vendim që kjo seancë të shtyhet për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 prill 2016, Jeton Muja akuzohet se më 29 dhjetor 2015, rreth orës 18:25, në Fushë Kosovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e përvetëson pasurinë e cila i është besuar në atë mënyrë që në lokalin “Te Nexhi”, i pandehuri me pretekst se do ta kryej një telefonatë ia merr telefonin e tipit ”Iphone 5S” të dëmtuarit Gazmend Shabani, mirëpo posa e merr ik nga ty, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Jeton Muja se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj” nga neni 330 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Jeton Muja akuzohet se më 9 shkurt 2016, rreth orës 18:35, i mllefosur për shkak të arrestimit dhe shoqërimit nga Stacioni Policor i Lipjanit për në Fushë Kosovë, pasi që më parë kishte kryer veprën penale të shpërdorimit të pasurisë së huaj, i pandehuri me qëllim të frikësimit seriozisht i ka kanosur personat zyrtar-Policët Xhevdet Sadikaj dhe Valon Dërvishollin, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari u është drejtuar me fjalët “Besën po ua jap keni me ma pa sherrin, me dorën time do të hakmerrem ndaj jush dhe me dorën e shokëve të mi”, si dhe fjalë tjera si “se numrin e ID-së, do t’i mbaj në trurin tim dhe t’iu tregoj juve kur njerëzit e mi do t’i sjell në stacionin tuaj dhe do të ju nxjerri zvarrë nga stacioni”, “një polic që jeton në Lipjan nuk ka metë pa ja thy kryet dhe nuk jau fali kurrë, vetëm se nuk po ju takoj civil, atëherë do ta shihni”, ku tek të njëjtit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Jeton Muja se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185 par.3 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi