Zëvendësministri Nerjovaj mohon akuzat për korrupsion

Zëvendësministri Nerjovaj mohon akuzat për korrupsion

Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se ka prova të mjaftueshme me të cilat do vërtetohet se ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Bujar Nerjovaj, ka kryer veprën për të cilën ngarkohet.

Një deklarim të tillë, e ka dhënë prokurori i rastit, Metush Biraj, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse, si dhe janë dëgjuar dy inspektorë komunalë dhe koordinatori i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.

Zëvendësministri Nerjovaj, akuzohet se derisa ka qenë drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për më tepër, ai akuzohet se derisa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Në seancën e së mërkurës, prokurori Biraj, në fjalën hyrëse ka thënë se Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur këtë aktakuzë, për shkak se i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se sipas tij, akti akuzues është i mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme, të cilat do të vërtetohen në rrjedhën e mëtejshme të procedurës.

Kurse, i akuzuari Nerjovaj, edhe njëherë ka mohuar akuzën me të cilën ngarkohet, dhe siç ka thënë ai, kërkon falje për faktin se i njëjti në seancën e 6 shkurtit 2019, kishte kërkuar që të hyjë në marrëveshje për negocimin e pranimit të fajësisë, siç ka thënë ai, këtë veprim e ka bërë si të pa menduar mirë.

Mbrojtësi i të akuzuarit në fjalë, avokati Blerim Mazreku, ka deklaruar se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë, dhe se veprimet që i ka marrë i mbrojturi tij, kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, ku sipas tij, gjatë procedurës gjyqësore në vijim do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari Ruzhdi Daka, i cili është inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit.

Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj, së në rastet kur has në objekte të ndërtuara pa leje ose tejkalim të lejes së ndërtimit, çfarë masa ndërmerren. Dëshmitari Daka, tha se e drejta e tyre është që aty ku nuk ka leje të ndërpriten punimet.

“Kur hasim në këto raste, përpilohet aktvendim për ndërprerje të punimeve dhe nënshkruhet nga inspektori dhe dorëzohet në zyrën e drejtorit, pastaj aktvendim përpilohet në tri kopje, një kopje ngel te drejtori, një kopje i dërgohet palës me fletëpërcjellje, dhe një kopje mbetet në lëndë. Pas kësaj detyrë e inspektorit është me dal prapë me inspektu vendpunishten, se a është respektu vendimi, a janë ndërpre punimet, e drejta jonë është që të ndërpriten punimet aty ku nuk ka leje dhe të paraqet leje tjetër për punim shtesë. Nëse konstatohet se investitori nuk është pajis me leje, bëjmë procesin e dytë dhe marrim vendimin për rrënimin e punimeve vullnetare”, ka thënë dëshmitari Daka.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Biraj, ai ka thënë se është praktik që konkluzionet për rrënim të detyrueshëm të objekteve pa leje, ose tejkalim të lejes së ndërtimit, sipas tij, këto vendime përveç emrit të inspektorit të ndërtimtarisë, të i nënshkruan edhe drejtori.

Në pyetjen e prokurorit Biraj, se pse nuk është ekzekutuar konkluzioni për rrënimin e objektit hotelier “Kaçinari” të ndërtuar pa leje, ai tha se procedurën deri në konkluzion e ka dorëzuar në drejtori, e mandej siç deklaroi ai, organizimin e rrënimit gjithmonë e bën drejtoria.

Gjatë kësaj seance, prokurori Biraj, e ka pyetur dëshmitarin Daka, se pse nuk është ekzekutuar konkluzioni i mbindërtimit pa leje të objektit “Centrum”.

Kurse, ai ka thënë se lëndën e ka dërguar gjerë në konkluzion për rrënim të drejtori Nerjovaj, mirëpo sipas tij, drejtori nuk ka thënë asgjë.

“Gati kurrgjë s’ka thënë, ngase është dashur mu ekzekutu objekti Kaçinari e pastaj edhe Centrumi, mirëpo na është thënë nga drejtori që do të formohet një taskforcë ku do të vendoset se a duhet me i rrënu apo jo”, ka thënë dëshmitari Daka.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Mazreku, e ka pyetur dëshmitarin se a është e vërtetë që në konkluzionet tuaja kërkohet edhe nënshkrimi i drejtorit, pasi që siç tha ai, në asnjë dispozitë ligjore nuk kërkohet nënshkrimi i drejtorit në konkluzionet e inspektorit.

Dëshmitari Daka, tha se menaxhmenti, përkatësisht drejtori vendos për nënshkrim.

Duke u përgjigjur mbrojtësit të të akuzuarit Nerjovaj, se pas nxjerrjes së konkluzionit për rrënim të detyrueshëm, sipas tij, a është e vërtetë se koordinatori i Inspektoratit i krijon kushtet për ekzekutim të atij konkluzioni.

Ai tha se, drejtori me administratën e vet i organizon mjetet për ekzekutim, sipas dëshmitarit, ato janë firma kontraktuese për rrënim, njoftohet policia për sigurim sipas nevojës. Për më tepër ai tha se drejtori me koordinatorin e inspektorateve e organizon këtë punë.

Më pas, i akuzuari Nerjovaj, drejtuar dëshmitarit Daka, se në bazë të praktikave që i ka përmend dëshmitari, e kujt është përgjegjësia për realizimin e konkluzioneve. Dëshmitari tha se për këtë pyetje njëherë është përgjigjur.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Daka, është dëgjuar edhe dëshmitari Nexhmidin Musliu, në cilësinë e inspektorit në Komunën e Prizrenit.

Në pyetjen e prokurorit Biraj, se cila ka qenë arsyeja e mos rrënimit të objektit afarist “Clasik”, dëshmitari ka thënë se ata e kanë përpiluar konkluzionin por i njëjti nuk është ekzekutuar, pasi që në fund siç tha ai, drejtori u ka thënë se do të vijë një task forcë, jo vetëm për këto objekte, por për të gjithë qendrën e mbrojtur të qytetit, ashtu që konkluzionet kanë mbetur pa u zbatuar.

Ai tha, se këto fjalë drejtori ua ka thënë në zyrën e tij.

Duke u përgjigjur mbrojtësit të të akuzuarit, Nerjovaj, se a është formuar kjo task forcë, dëshmitari tha se e njëjta, nuk është formuar.

Më pas, avokati Mazreku, në pyetjen drejt dëshmitarit se në rastet kur drejtori e nënshkruan konkluzionin për rrënim, sipas avokatit a nënkupton se është dhënë aprovimi i drejtorit.

Dëshmitari tha se një veprim i tillë, e nënkupton aprovimin.

Në pyetjen e të akuzuarit Nerjovaj, drejt dëshmitarit, se kush është personi i dytë që i drejtohet inspektori për realizimin e atij konkluzioni, dëshmitari tha se ata pa urdhër të eprorëve nuk bëjnë ekzekutime, sipas tij, drejtorit dhe koordinatorit.

Për një moment, i akuzuari Nerjovaj, i ka thënë dëshmitarit se a ka marr urdhër nga ai apo nga ish-kryetari Ramadan Muja, që mos me i rrënuar objektet në fjalë. Dëshmitari tha se një urdhër të tillë nuk e kanë marrë nga ata.

Më pas, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Mazreku, se a ka qenë dikush tjetër prezent kur sipas tij, drejtori i ka thënë që do të formohet task forca, dëshmitari tha se nuk e di nëse ka qenë dikush tjetër.

Në fund, është dëgjuar edhe Fail Hoxha, në cilësinë e koordinatorit në drejtorinë e inspektorateve të përgjithshme në Komunën e Prizrenit, i cili në pyetjen e prokurorit Biraj, se a qëndron në deklaratën e dhënë në prokurori, tha se qëndron në tërësi pran së njëjtës.

Kurse, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, se a është ai kompetent që sipas avokatit, të krijoj kushte për rrënim sipas konkluzionit.

Ai tha se në momentin kur vendos inspektori për të ekzekutuar një lëndë, siç ka thënë ai, inspektori ia sjellë lëndën për t’ia bërë kërkesën policisë, njëherërsh e lajmëroi ekzekutorin me të cilin siç tha ai, kanë edhe kontrata.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues , gjykatëses Ajser Skenderi, se para se të shkohet në ekzekutim, a duhet që të merret edhe aprovimi nga drejtori, ai tha se nuk duhet, pasi që sipas tij, inspektori e kryen punën e vet.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka aprovuar propozimin e prokurorit Metush Biraj, që për seancën e radhës të dëgjohet ish kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Ndërkaq, gjykatësi Osmani, seancën e radhës e ka caktuar më 8 Maj 2019, prej orës 10.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 29 nëntor 2018, ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohej.

Kurse, në seancën e shqyrtimit të dytë 6 Shkurt 2019, ai kishte kërkuar të futet në marrëveshje për negocimin e pranimit të fajësisë, mirëpo më pas i njëjti, ishte tërhequr nga ai akt. Dhe kështu gjykimi tani po vazhdon me seancën kryesore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi