Gjykimi për përvetësim në detyrë

Gjykimi për përvetësim në detyrë

Në gjykimin ndaj zyrtarit të PTK-së, Dibran Fetahu, i cili po akuzohet se në vitin 2014, ka përvetësuar mbi 70.000 euro, përmes shitjes së kartelave gërvishtëse, roja i sigurimit të PTK-së, Zenel Shabani, ka thënë se në ditën kritike, gjatë kontrollit të objektit në ndërrimin e tij, ka parë se dera e zyrës së ndihmës arkëtarit Fetahu dhe arka kanë qenë të hapura.

Një deklarim të tillë, Zenel Shabani, i dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga ana e Prokurorisë, e ka bërë të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit të rastit, Njazi Rexha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vazhdim të dhënies së dëshmisë së tij, ai tha se pasi që ka ardhur në ndërrimin e tij, është takuar me rojën tjetër të sigurimit, Sami Xhafa, i cili ka qenë në ndërrimin paraprak, dhe pasi që kanë parë se dera nuk ka qenë e kyçur me qelës dhe se arka ka qenë e hapur në zyrën e Dibran Fetahut, ka thënë se kanë lajmëruar mbikëqyrësin e tyre dhe Policinë.

Sipas tij, pasi që kanë arritur Policia, kanë bërë fotografi të vendit të ngjarjes, mirëpo siç tha ai, nuk ka parë nëse kanë ekzaminuar diçka tjetër.

Dëshmitari Shabani, gjithashtu përmendi se më pas ka kuptuar se bëhej fjalë për mungesë të mbushjeve telefonike.

Përveç kësaj, ai tha se roja tjetër i sigurimit, Sami Xhafa, nuk e ka njoftuar të ketë vërejtur ndonjë parregullsi gjatë ndërrimit paraprak.

Ndërkaq, Sami Xhafa, gjatë dhënies së dëshmisë së tij në seancën e së mërkurës, ka thënë se më 29 janar 2014, pasi që në ora 16:00 kanë përfunduar orarin e punës zyrtarët e PTK-së,  më pas sipas tij kanë mbetur vetëm sportelistët, deri në ora 21:00 dhe ai si sigurim.

Ai tha se diku rreth orës 17:30-18:00, ka pranuar një telefonatë në telefonin fiks në zyrën e sigurimit ku i është kërkuar që të hapet dera e parkingut.

“Rreth orës 17:30-18:00 kam pranuar një telefonatë në telefonin fiks në zyrën time të sigurimit ku dikush më ka kërkuar që t’ia hap derën e parkingut. Unë kam dalë të parkingu nuk kam vërejtur askënd kur jam kthyer të dera e hyrjes kryesore kam takuar kolegun Dibran Fetahu, aty jam përshëndetur me të, dhe e pyeta se çfarë dole në këtë kohë, pasi që ai kishte përfunduar orarin, ai më tha se ka qenë te Irfani për një numër që i ishte bllokuar dhe se e ka vajzën e sëmurë në Shtëpi të Shëndetit, derisa ta kryerje kontrollin, jam përshëndetur me të dhe pasi që kam hyrë brenda përsëri kam pasur një telefonatë, e kam hapur telefonin por askush nuk është lajmëruar”, tha dëshmitari Xhafa.

Tutje, dëshmitari në fjalë ka treguar se si së bashku me Zenel Shabanin, gjatë kontrollit kanë parë se dera e zyrës së Dibran Fetahut, nuk ka qenë e mbyllur me qelës, ndërkaq tha se kur e kanë hapur derën kanë parë se arka ka qenë e hapur.

Njëjtë sikurse dëshmitari Shabani, edhe dëshmitari Xhafa, tha se menjëherë kanë lajmëruar mbikëqyrësin dhe Policinë.

Kurse, gjatë marrjes në pyetje nga anëtari i trupit gjykues, dëshmitari Sami Xhafa ka thënë se atëkohë nuk ka pasur kamera të sigurisë në objektin e PTK-së, ku po ashtu tha se nuk ka vërejtur se dera e zyrës së Dibran Fetahut, të ketë qenë e dëmtuar apo të jetë vërejtur se është përdorur forcë.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje  të dëshmitarëve Sami Xhafa dhe Zenel Shabani,  dhe pas administrimit të të gjitha provave të propozuara në aktakuzë nga ana e Prokurorisë,  nga ana e Gjykatës janë aprovuar  disa nga propozimet e mbrojtësit të të akuzuarit Dibran Fetahu, avokatit Vehbi Beqiri.

Me vendim të Gjykatës, është urdhëruar sigurimi i raporteve të ngarkim-shkarkimit të njësisë Mitrovica1 për muajt janar-dhjetor 2013 dhe janar 2014, raportet e auditimit të  brendshëm dhe të jashtëm në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale në aktakuzë, raporti përfundimtar i auditimit për vitin 2014 për regjionin e Mitrovicës, librin e shitjes dhe shkarkimit ditor  në arkën kryesore dhe raporte të tjera të punës së Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) në Mitrovicë, për periudhën të cilës i referohet aktakuza.

Më pas, seanca e së mërkurës është shtyrë dhe e njëjta është caktuar të mbahet më 20 dhe 21 maj 2019.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të përpiluar më 29 dhjetor 2015, Dibran Fetahu akuzohet se deri më 28 janar 2014, në ndërtesën e PTK-së, selia në Mitrovicë, në cilësinë e arkëtarit ndihmës, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që shitjet e vazhdueshme të kartelave gërvishtëse nga ana e sportelistëve nuk i kishte deklaruar në tërësi në librin e shitjes.

Në këtë mënyrë, ai akuzohet nga prokuroria se ka përvetësuar shumën prej 71,875.52 euro.

Me këtë, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi