Dënohet me gjashtë muaj burgim i akuzuari për falsifikim të 50 eurove

Dënohet me gjashtë muaj burgim i akuzuari për falsifikim të 50 eurove

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim të akuzuarin për falsifikim të parasë, Mentor Rama.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur, të mërkurën, nga gjykatësja Hysnije Gashi, pasi i akuzuari Rama e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dënimi me burgim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 800 euro.

Gjithashtu, ai është obliguar që për shpenzimet gjyqësore të paguajë shumën prej 50 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit vlerën prej 50 euro.

I akuzuari Rama ka deklaruar se ishte penduar për veprën që e kishte kryer.

Pas pranimit të fajësisë shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën përfundimtare.

Prokurori Rasim Maloku ka thënë se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, dhe gjykatës i ka propozuar që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë një sanksion penal të paraparë nga Kodi Penal i Kosovës.

“Gjithashtu propozoj që me rastin e caktimit të dënimit të merret parasysh edhe shkalla e përgjegjësisë dhe nga rrethanat e tjera pasi që edhe më parë ka qenë i dënuar për vepra penale të ngjashme, e po ashtu të konfiskohet edhe vlera e parasë në vlerën prej 50 euro”, ka thënë prokurori Maloku.

I dëmtuari Faton Sherifi, në fjalën përfundimtare, tha se nuk e ndjek penalisht dhe nuk paraqet as kërkesë pasurore-juridike ndaj të akuzuarit Mentor Rama.

Ndërsa, i akuzuari Rama ka kërkuar që t’i shqiptohet një dënim me gjobë.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të ngritur më 27 mars 2017, në motelin “FATI”,  i cili gjendet në fshatin Muhovc në Ferizaj, ka vë në qarkullim paranë e falsifikuar si të vërtet, në atë mënyrë që kishte shkuar në motelin “FATI” dhe kishte bërë pagesën në vlerën prej 10 euro me kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, edhe pse e kishte ditur se është e falsifikuar, kurse pronari i hotelit i kishte kthyer kusurin në vlerë prej 40 euro,  i cili më vonë ka kuptuar se kartëmonedha në vlerë prej 50 euro kishte qenë e falsifikuar.

Me këtë akuzohej për veprën penale falsifikim i parasë nga neni 302 par.2 të KPRK-së.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi