Gjykimi për krim të organizuar, Bashota e të tjerët mbrohen në heshtje

Gjykimi për krim të organizuar, Bashota e të tjerët mbrohen në heshtje

Të akuzuarit për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për tu mbrojtur në heshtje.

Në këtë rast, i cili është i shënjestruar për liberalizimin e vizave, tre të akuzuarit po dyshohen se përmes kërcënimit, kishin kërkuar nga i dëmtuari Murat Tërnava ta lirojë pronën që gjendet në Fushë Kosovë, e i cili e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”, dhe që pastaj këtë pronë e kishte lëshuar me qira për biznese të ndryshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, para se të akuzuarit të deklarohen se dëshirojnë të mbrohen në heshtje, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti ka deklaruar se me 18 mars 2018, kishte pranuar një parashtresë më prova të propozuara nga ana e mbrojtësve së të akuzuarve.

Lidhur me këto propozime, prokurorja Merita Bina-Rugova ka thënë se këto prova ishin shkresa të cilat gjykata dhe prokuroria i kishin poseduar më herët, dhe se këto shkresa ishin bërë brenda periudhës inkriminuese në fazat e ndryshme të ngjarjes, që sipas saj, ishin të panevojshme nga të cilat nuk do të vërtetohej asgjë.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa i kundërshtoi këto prova, pasi sipas tij, këto prova gjendeshin në shkresa të lëndës.

Avokati Sokol Dobruna, mbrojtës i të akuzuarit Sylejman Bajrami i ka propozuar gjykatës edhe tri prova të reja, disa parashtresa që Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi u kishte dërguar organeve të ndryshme, me arsyetimin se kjo drejtori pranon se kishte bazë juridike për heqjen e ndalesës nga prokuroria.

Ai propozoi që si provë të administrohet edhe një aktvendim i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me të cilin ishte anuluar konkluzioni i Drejtorisë për Urbanizëm, si dhe propozoi edhe një akt tjetër, i cili i ishte dërguar zyrës ligjore të kabinetet të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, me të cilin ishte kërkuar interpretimi ligjor për lëndën e pronës që bëhet fjalë në aktakuzë.

Prova të reja ka propozuar edhe mbrojtësja e të akuzuarit Bashota, avokatja Luljeta Jashari, e cila ia ka dorëzuar gjykatës një aktvendimin me të cilën ishte hedhur aktakuza kundër të akuzuarit Arben Bashota.

Kështu, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Arben Hoti, aprovoi propozimin e mbrojtësve për provat e dorëzuara me anë të parashtresës, pasi sipas tyre, gjykata provat në fjalë do t’i analizojë veç e veç, dhe nga këto prova do të nxjerrë bazën e aktgjykimit.

Ky trup gjykues, ka aprovuar edhe propozimin e avokates Jashari, ndërsa ka refuzuar propozimi i avokatit Dobruna, me arsyetimin se shkresat e përmendura nuk kishin fuqi provuese dhe se të njëjtat ishin disa parashtresa që iu ishin dorëzuar organeve të ndryshme për të dhënë mendime.

Po ashtu, është aprovuar edhe propozimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar, që si provë të lexohet aktvendimi i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë e 31 tetorit 2002, si dhe fatura që i dëmtuari Murat Ternava ia kishte paguar qiranë kombinatit “KBI Bujqësia” .

Seanca e radhës është caktuar me 30 prill 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 8 gusht 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Arben Bashotes, Osman dhe Sylejman Bajrami, për shkak të veprës penale të krimit të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, tre të akuzuarit së bashku me të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona tjerë të pa identifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Në aktakuzë, thuhet se të njëjtit që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh, e cila gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë, të cilën prone e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej me shumë se 5 milion euro.

I akuzuari Bashota po pretendohet se kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit, kjo ngastër kadastrale i kthehej në pronësi personit Marko Mitroviq, si dhe një tjetër aktgjykim po ashtu të falsifikuar, me të cilin kinse Mitroviq e kishte autorizuar atë që në emër të tij të ndërmarrë veprime juridike.

Pas kësaj, Bashota me këto dokumente false kishte kërkuar regjistrimin e ndryshimeve pronësore në kadastër duke vënë ne lajthim drejtorin për Kadaster dhe Gjeodezi, i cili me 10 mars 2004, kishte marrë aktvendim që kjo ngastër kadastrale të kalojë në emër të personit Mitroviq Marko.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit me përpjekje për të përvetësuar këtë pronë, kishin siguruar 6 kontrata të falsifikuara, sipas të cilave Marko Mitroviq pronën ia kishte shitur personave: Xhavit dhe Shemsije Bashota, Smajl Mehmeti, Xhyle Maraj, Viloleta Ahmeti dhe Myzafer Maliqi.

Duke përdorur këto dokumente, të akuzuarit kishin insistuar tek të dëmtuarit që ta lirojnë pronën, duke u paraqitur se toka ishte e tyre, dhe që nga viti 2007, kishin filluar të përdornin edhe kërcënime serioze për ti detyruar të dëmtuarit që te veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit të kaluar, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por që në tetor të vitit të kaluar ky rast ishte kthyer në rigjykim.  /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi