"Qyteti i gladiatorëve" shfaq varret e zbuluara nga arkeologët

"Qyteti i gladiatorëve" shfaq varret e zbuluara nga arkeologët

I njohur edhe si "qyteti i gladiatorëve", vendi historik Stratonikeia ka qenë i rëndësishëm në periudhat helenistike, romake, bizantine dhe anatoliane, si dhe periudhat e Perandorisë Osmane dhe të Republikës së Turqisë .

Një qytet antik në Turqinë perëndimore do të ekspozojë varret dhe sarkofagët e zbuluar nga arkeologët.

Gërmimet në vazhdim në qytetin e lashtë Stratonikeia në qytezën Yatağan të provincës Muğla kanë hedhur në dritë objekte të reja historike si pjesë e projektit të nisur nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit më 1 mars.

Projekti parasheh që punimet e gërmimit të kryhen pa pushim për një periudhë 12-mujore dhe përfshin përpjekje të vazhdueshme me ekspertë dhe personel shtesë.

Duke folur për AA, Bilal Söğüt, kreu i gërmimeve në Stratonikeia, tha se shumë gjetje që datojnë rreth 3.500 vjet më parë janë zbuluar në qytetin e lashtë, i cili ka qenë shtëpi e shumë civilizime historike.

I njohur edhe si "qyteti i gladiatorëve", vendi historik ka qenë i rëndësishëm në periudhat helenistike, romake, bizantine dhe anatoliane, si dhe periudhat e Perandorisë Osmane dhe të Republikës së Turqisë.

Söğüt tha se ekipi i gërmimit ka gjetur një mur varri dhe një sarkofag që i përket Epokës Romake dhe se gjetjet janë marrë nën mbrojtje.

"Me Muzeun e Muğlas, përmes një vendimi të bordit, ne filluam aktivitetet për të ekspozuar varrin dhe sarkofagët, që mund të transferohen nga vendi origjinal, në hyrje të qytetit", tha ai, duke shtuar se ka pasur mostra që mund të datojnë rreth 4.500 vjet më parë.

"Ne po finalizojmë një projekt shumë të rëndësishëm që do të jetë një shembull për Muğlan", tha ai.

Söğüt theksoi se tashmë në hyrjen e qytetit antik janë vendosur varre të gladiatorëve, duke shtuar se do të ketë mbishkrime në gjuhën turke dhe angleze në lidhje me gjetjet.

Ai tha se varrezat do të klasifikoheshin sipas kohës që i përkasin, duke filluar nga Epoka e Bronzit dhe shtoi se gjetjet që do të shfaqen janë ato që nuk mund të mbrohen në vendin origjinal.

Qyteti i lashtë i Stratonikeia u përfshi në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2015.

Söğüt tha se gërmimet shpalosin informacione të reja çdo vit dhe se projekti do të hapë rrugën për zbulimin e vlerave arkeologjike dhe gjetjen e të dhënave të rëndësishme.